Nis nesër edicioni i 22-të i Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë

15 Nëntor, 2022 - 1:23 pm

Ambasada e Francës në Kosovë po prezanton edicionin e 22-të – të Festivalit të Filmit Frankofon në Kosovë. Kjo ngjarje organizohet në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Zvicrës Belgjikës dhe Aleancën Franceze të Prishtinës.

Hapja zyrtare e Festivalit do të bëhet të mërkurën, më 16 nëntor në ora 18:30 në Kino ARMATA, ndërsa shfaqja e filmit premierë “FRANCE” nga Bruno Dumont– do të fillojë nga ora 19:00.

Për programin e Festivalit të Filmit Frankofon dhe rëndësinë e Frankofonisë në Kosovë, do të flasë ambasadori i Francës, Olivier Guérot, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, dhe përfaqësues nga përfaqësitë diplomatike të Zvicrës dhe Belgjikës.

Tema e filmave për këtë edicion është “AMOUR TOUJOURS” ilustrim i përsosur i këtyre 22 viteve takimesh romantike me Artin e 7-të.

Festivali këtë vit do shtrihet në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë. Në të njëjtën kohë me festivalin është duke u zhvilluar edhe “LA SEMAINE DU GOÛT”, Java e shijes, dhe trajtimi i gastronomisë “në stilin francez” dhe për këtë aktivitet nga Franca ka ardhur shefi i kuzhinës, Chef Christophe dhe asistentja e tij Nathalie Vuitton. Ata do të jenë çdo ditë në Institutin për aftësim profesionale KTC–së dhe në Espace FRANCE “le Vieux Lyon” ku do të mbajnë trajnime në fushën e kulinarisë. Me këtë rast ju njoftojmë dhe ju ftojmë ta përcjellni vizitën e Ambasadorit të Francës në Institutin e Trajnimit Profesional të KTC-së dhe në Espace FRANCE “le Vieux Lyon” në Fushë Kosovë, e cila do të mbahet ditën e premte, më 18 nëntor, në orën 11:00.

 Të gjitha informatat mbi shfaqjen e Filmave dhe vendet i gjeni në programin e detajuar, bashkangjitur he në faqet e facebook-ut të Frankofonisë në Kosovë. https://www.facebook.com/franceculturekosovo Hyrja për të gjithë filmat është falas. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme