28 Maj, 2025 - 5:51 pm
Në Kalanë e Kaninës kanë nisur ndërhyrjet konservuese, strukturale dhe gjeologjike, si dhe zbatimet e planeve të reja të interpretimit dhe përmirësimit të eksperiencës së vizitorëve.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale disa pamje ku bëri me dije se “në Kalanë e Kaninës ka nisur nga procesi i rijetësimit, për ta kthyer këtë objekt të trashëgimisë sonë kulturore në një destinacion të vizitueshëm turistik”.
Sipas Ramës “me ruajtjen e identitetit historik dhe krijimin e hapësirave të reja panoramike nga ku mund të shihen pamjet mahnitëse të Gjirit të Vlorës, do ta kthejnë Kaninën në një ndalesë të paharrueshme për çdo udhëtar që kërkon të përjetojë historinë nga afër”.
Ndërhyrjet në Kalanë e Kaninës po financohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si një projekt i Proskene dhe CHwB Albania, në kuadër të Programit PIUTD, me mbështetje nga Banka Botërore. Ndërhyrjet konservuese pritet të përfundojnë më 25 prill 2026.
Ky proces restaurimi dhe përmirësimi përfshin jo vetëm ruajtjen e strukturave ekzistuese, por edhe krijimin e hapësirave të reja që i japin jetë sitit, pa humbur identitetin e tij historik.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, gjatë kësaj periudhe Kalaja e Kaninës nuk do të jetë e hapur për vizitorët./atsh/KultPlus.com