20 Gusht, 2025 - 6:20 pm
Salla “Kardinal Mikel Koliqi” hapi dyert për edicionin e IX të festivalit “Shkodra Sounds”, i cili nisi me një koncert të veçantë nga “Skanderbeg Chamber Orchestra”.
E themeluar në vitin 1997 nga artisti i ndjerë Rrok Jakaj, orkestra mbetet një ndër ansamblet më të veçanta të muzikës së dhomës. Drejtori artistik, Florian Jakaj, theksoi rëndësinë e festivalit si hapësirë kulturore për qytetin, duke e parë si një moment për reflektim dhe synime të reja.
Violinisti Paçalin Pavaci, i cili jeton jashtë vendit, shprehu emocionin e rikthimit në Shkodër:
“Është një emocion i madh, sepse mblidhen të gjithë shkodranët që punojnë kudo në botë në profesionin e tyre. Është një dëshmi e fuqisë së shkollës sonë muzikore dhe e lidhjes së fortë me qytetin.”
Ky koncert shënoi hapjen e një jave të mbushur me aktivitete muzikore, ku Shkodra përjeton edhe një herë atmosferën e “Shkodra Jazz Festival”./rtsh