Një dokumentar i Scorseses risjell ëndrrën e fundit të papa Françeskut

1 Maj, 2025 - 8:30 pm

 Regjisori i njohur amerikan, Martin Scorsese do të risjellë në jetë ëndrrën e fundit të papa Françeskut.

Filmi  ”Aldeas – A new story” do të thellohet në lëvizjen arsimore Scholas Occurrentes, e themeluar nga Françesku në vitin 2013 si një organizatë për nxënësit e shkollave për të realizuar projekte.

Kompania e prodhimit ”Aldeas Scholas Films”, pjesë e Scholas Occurrentes, e quajti filmin një ëndërr të fundit të papa Françeskut dhe një dokumentar të ri të fuqishëm.

Ajo shtoi se do të paraqiste biseda midis regjisorit fitues të çmimit Oscar, Scorsese, dhe papës së ndjerë.

Prodhimi është në bashkëpunim me kompaninë e Scorsese-s, ”Sikelia Productions” dhe ”Massive Owl Productions”, të bashkëthemeluara nga Victoria Brooks, e cila ka punuar në ”Downton Abbey” dhe ”Peaky Blinders”.

Scorsese, 82 vjeç, tha se ”tani, më shumë se kurrë, duhet të flasim me njëri-tjetrin, të dëgjojmë njëri-tjetrin në mënyrë ndërkulturore. Një nga mënyrat më të mira për ta arritur këtë është duke ndarë historitë se kush jemi, të reflektuara nga jeta dhe përvojat tona personale. Na ndihmon të kuptojmë dhe vlerësojmë se si secili prej nesh e sheh botën. Ishte e rëndësishme për papa Françeskun që njerëzit në të gjithë globin të shkëmbenin ide me respekt, duke ruajtur gjithashtu identitetin e tyre kulturor, dhe kinemaja është mediumi më i mirë për ta bërë këtë”.

Scorsese, i cili drejtoi filmat “Goodfellas”, “Taxi Driver” dhe “The Wolf Of Wall Street”, u takua më parë me Françeskun në shtator 2023 në një audiencë me figura publike dhe në vitin 2016 pas shfaqjes së filmit të tij ”Silence”, rreth priftërinjve jezuitë që përpiqeshin të përhapnin krishterimin në Japoninë e shekullit XVII.

Regjisori është gjithashtu pas dokumentarëve muzikorë “George Harrison: Living In The Material World”, “Rolling Thunder Revue: A Bob Dylan Story”, “Beatles ’64” dhe “The Last Waltz”.

Françesku nuk ishte nga ata që i shmangej vëmendjes duke u shfaqur në serialin e Netflix “Stories Of A Generation”, dokumentarin e Leonardo DiCaprio-s për ndryshimet klimatike “Before The Flood” dhe filmin e vitit 2018 “Pope Francis: A Man Of His Word”./KultPlus.com

Të ngjajshme