Një Dritare Ndaj Kujtesës – Ekspozita: “Shot / Reverse Shot” – Barry Lewis

24 Korrik, 2025 - 2:37 pm

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor GOCAT, ekspozita “Shot / Reverse Shot” sjell më shumë sesa një përzgjedhje fotografish, ajo ndërton një dialog të thellë vizual mes të kaluarës dhe të tashmes, një përballje intime me kujtesën kolektive të Shqipërisë. Kjo ekspozitë hap një fushë reflektimi ku imazhi bëhet formë rrëfimi dhe rikujtimi, e ku historia e afërt merr formë përmes dritës dhe hijes.

Në qendër të ekspozitës janë fotografitë arkivore të artistit britanik Barry Lewis, të realizuara në vitet 1990 dhe1991, në një Shqipëri të izoluar dhe periudhë tranzicioni. Këto nuk janë vetëm dokumente të një realiteti të vështirë, por sinjale të mbushura me tension, pasiguri dhe ndjeshmëri. Përballë tyre qëndrojnë veprat e disa artistëve shqiptarë bashkëkohorë, sikurse Koloreto Cukalli,Kristanja Çene, Roland Tasho dhe Ervin Bërxolli,  të cilët poashtu dialogojnë me të shkuarën përmes gjuhës së artit.

Elton Koritari dhe Burim Myftiu, kuratorë të ekspozitës, e shohin fotografinë si një medium unik që kapërcen kohën dhe bëhet gjithmonë aktual. Puna klasike që bëhet, me kalimin e kohës merr edhe dimension bashkëkohor sepse fotografia si medium është një nga format më të përhapura.

Vetë Barry Lewis, i cili u rikthye në Shqipëri pas më shumë se tri dekadash, shpreh habinë e tij për ndryshimet, por edhe për vazhdimësinë emocionale që vendi mban me të kaluarën. “Më shumë se 30 vjet më vonë dhe isha thjesht i mrekulluar. Njerëzit gjithmonë kanë qenë mikpritës, por në vitin 1990 ishte një tjetër realitet,” kujton ai.

“Shot / Reverse Shot” është një përpjekje për të rindërtuar fijet e kujtesës ndërbrezore dhe për të ofruar një reflektim të ri mbi një periudhë që, edhe pse historike, është ende thellësisht e pranishme. Ajo fton vizitorin të mendojë jo vetëm për atë çfarë kemi qenë, por edhe për atë çfarë jemi sot dhe mund të bëhemi nesër.

Ekspozita është organizuar nga GOCAT, me mbështetjen e Fondacionit MANE, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të mbështetur artin, dialogun dhe ruajtjen e kujtesës kolektive. E hapur për publikun deri më 7 shtator, hyrja është pa pagesë./KultPlus.com

Të ngjajshme