16 Gusht, 2025 - 10:51 pm
Në imagjinatën botërore, Japonia lidhet me teknologjinë futuriste: robotë, metro ultra-moderne, trena me shpejtësi marramendëse. Por paradoksalisht, vendi i “inovacionit” ende mbështetet në teknologji të vjetruara si makinat e faksit dhe dokumentet në letër.
Pandemia e Covid-19 nxori më qartë në pah këtë kontrast. Ndërsa shumë shtete implementuan shpejt zgjidhje dixhitale për shëndetësinë dhe administratën, Japonia u përball me vështirësi të mëdha. Përhapja e burokracisë dhe mungesa e sistemeve online e vonuan reagimin kombëtar. Vetëm në maj të vitit 2020 u hap një portal për raportimin e rasteve të reja.
Nga lidere teknologjike në vite ’70–’80 te ngecja dixhitale
Në të kaluarën, kompani si Sony, Panasonic, Toyota apo Nintendo dominuan botën. Produkte si Walkman, Donkey Kong apo Mario Bros e bënë Japoninë sinonim të inovacionit. Por ndërsa vendet e tjera kaluan në një ekonomi të bazuar në softuer dhe shërbime, Japonia mbeti e përqendruar tek hardueri. Rezultati: një hendek i madh dixhital në shërbimet publike.
Pse?
Administrata publike ka shkrim-lexim të ulët dixhital.
Shumë procese janë të lidhura me dokumente në letër dhe pulla tradicionale hanko.
Korporatat shmangin rrezikun dhe e marrin vendimmarrjen ngadalë.
Një popullsi në plakje ka pak presion për ndryshim.
Bizneset e vogla nuk kanë parë arsye të kalojnë nga faksi tek kompjuteri.
Edhe tentativa për modernizim ka pasur tone ironike: Ministria e Transformimit Dixhital ka kërkuar mendime për “metaverse” përmes një skedari Excel që duhej plotësuar e dërguar me email – duke shkaktuar tallje të gjera.
Një garë me kohën
Qeveria ka krijuar Agjencinë Dixhitale dhe synon të eliminojë përdorimin e faksit në zyrat shtetërore, por vetëm ky plan ka hasur mbi 400 ankesa nga ministritë. Ndërkohë, ekspertët thonë se Japonisë do t’i duhen të paktën 5–10 vite për të arritur standardet e vendeve perëndimore.
Megjithatë, ka shenja ndryshimi: pagesat pa kontakt po pranohen gjithnjë e më shumë, kompanitë po investojnë në shërbime online, dhe administrata po bën hapa të ngadaltë por të qëndrueshëm drejt reformës. Sfida kryesore? Teknologjia ndryshon aq shpejt sa çdo vonesë e bën arritjen edhe më të vështirë./KultPlus.com