Një guidë rreth Shkrelit, në pyllin e gështenjave shekullore

14 Nëntor, 2021 - 11:15 pm

Nga Tirana janë 102 kilometra që mund të përshkohen me makinë. Rrugët janë përmirësuar ndjeshëm dhe udhëtimi është më se i rehatshëm. Është një kohë shumë e shkurtër për t’u gjendur në një realitet tjetër, ku natyra është treguar e pakursyer.

Reçi është një nga tre fshatrat kryesorë të Parkut Natyror Rajonal të Shkrelit (i shpallur gjashtë vjet më parë, kategoria e 4-t IUCN), në Malësinë e Madhe. Shtrihet në të djathtë të rrugës Koplik – Dedaj, e cila ndahet mes Reçit dhe Razmës. Rruga që të çon drejt fshatit me gjatësi 2 kilometra tashmë është e rehabilituar.

Vjeshta me gjithë ngjyrat e saj e bëjnë këtë zonë vërtet mahnitëse për t’u vizituar. Të dyja anët e rrugës që të çojnë në qendër të fshatit janë të mbuluara nga pemë. Shtëpitë e vogla, karakteristike e të kuruara me kujdes, ku dallohet më së miri ndikimi që kanë sjellë përvojat e emigracionit e bëjnë këtë vend edhe më tërheqës. Në qendër të fshatit, aty ky çdo 31 gusht bëhet një festë e madhe (Festa e Reçit) bien në sy gështenjat e moçme, që për banorët janë të shenjta, mosha mesatare e të cilave është 500-vjeçare. Por, gështenjat nuk janë të vetmet pasuri që ka kjo zonë, e cila së fundmi është kthyer në një trend për turizmin e fundjavës.

Një guidë rreth Shkrelit

Parku Natyror Rajonal i Shkrelit, ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 20,282 hektarësh. Ai gjendet rreth 10 kilometra në verilindje të qytetit të Koplikut. Kufizohet nga Veriu: me Kelmendin dhe Parkun e Alpeve, nga Lindja me Plutin dhe Parkun Kombëtar të Thethit, nga Jugu me Gruemirën dhe Koplikun dhe nga perëndimi me Kastratin dhe pjesërisht Koplikun. Me mbështetjen e projektit italian VIS dhe atij gjerman CABRA është hartuar një guidë e detajuar me informacion të detajuar mbi hotelet, bujtinat, restorantet, guidat dhe harta.

Shkreli është një nga bukuritë e rralla të Alpeve Shqiptare, 20 kilometra larg Shkodrës. Një vend që mund të vizitohet në çdo stinë, por vjeshta e bën më të veçantë.

Të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë mund të zbulojnë shtigje të shumta që përshkojnë peizazhin e zonave si të Bogës, Lohes, Qafë Gradës. Me guida lokale ju mund të vizitoni kanionin e Përroit të Thatë dhe shpellat e shumta që gjenden në këtë zonë. Ka disa mënyra për të mbërritur në Parkun Natyror Rajonal të Shkrelit: me makinë, me autobus, me avion dhe me anije (nga ura e Bunës, përmes liqenit të Shkodrës).

Në këtë zonë mund të bëhen një seri aktivitetesh në natyrë.

Alpinizmi mund të bëhet në disa vende, si në: Majën e Madhe, në Majën e Kamshollit, në Majën e Rrabës, Radohimë, majën e Vllecikut, etj.

Ecjet në natyrë mund të zhvillohen në çdo stinë në zonën Shkrelit, por koha më e preferuar është stina e pranverës dhe vera.

Ekzistojnë disa shpella në këtë zonë që janë ende të paeksploruara e që mund të realizohen me ndihmën e guidave lokale. Shëtitja me kuaj është mënyra më e mirë për të vizituar akse, si: Dedaj– Vrith-Razëm; Razëm–Bogë; Dedaj–Ducaj–Bogë etj.

Në Shkrel mund të bëni edhe aeronautikë, veçanërisht në zona si Boga e Maja e Veleçikut.

Për çiklizëm mund të zgjidhni rrugët e pashtruara, ku nuk mungon mjedisi i pasur me biodiversitet. Një destinacion i veçantë është edhe shpella e Pëllumbave që shtrihet në drejtim të Qafë Gradës dhe ka shtrirje vertikale, gjë që lehtëson eksplorimin.

Në këtë zonë ka një sërë bujtinash ku mund të konsumoni produktet e veçanta të zonës dhe të ushqeheni shëndetshëm. Pjesa më e madhe e tyre janë të hapura gjithë vitin.

Oferta e akomodimit është e larmishme. Janë bujtina e hotele që dallohen për stilet e veçanta arkitekturore, diku tradicionale e diku të ndërthurura me modernen./Monitor/ KultPlus.com

Të ngjajshme