Një ikonë e rikthyer: Christina Aguilera në fustanin legjendar të Versace pas dy dekadash

23 Korrik, 2025 - 1:59 pm

Christina Aguilera është rikthyer në mënyrë magjepsëse, duke dëshmuar se është ende “e bukur në çdo kuptim”, sipas E! News.

22 vjet pas fushatës ikonike të Versace për vjeshtën 2003, këngëtarja e “Genie in a Bottle” u shfaq me të njëjtin stil në premierën londineze të “Burlesque: The Musical” më 21 korrik. Me një fustan pa rripa, korse të kryqëzuar dhe fund me volane, ajo e kompletoi pamjen me çizme të zeza të gjata dhe buzë të errëta, ndërsa flokët biond platin i la të rrjedhin natyrshëm — një homazh i qartë për dukjen e dikurshme.

Christina, producente e shfaqjes skenike të filmit të vitit 2010 ku luajti me Cher, riktheu jo vetëm stilin, por edhe frymën krijuese. Donatella Versace, e cila e zgjodhi atë për fushatën e vitit 2003, u shpreh: “Zëri i saj është i jashtëzakonshëm. Doja të ishim mikesha, kjo ishte më e rëndësishmja”.

Christina tha atëherë se ishte e emocionuar për të eksploruar një fushë të re, dhe ky vizion i saj vazhdon: “Jam më e përqendruar se kurrë në atë që dua të bëj”, tha ajo për Vogue. “Gjithmonë kam dashur të zbuloj pjesë të reja të vetes”./KultPlus.com

Të ngjajshme