Një mirditas si lulishtar i Sulltanit Fuad të Egjiptit

2 Nëntor, 2019 - 2:09 pm

Nga Gjergj Marku

Kol Ndrec Nikolli nga Bozhiqi i Selitës, është mirditasi që emigroi në Egjipt në vitin 1915, duke qëndruar për 12 vite rrjesht si lulishtar i Sulltanit Fuad të Egjiptit. Sulltan Fuadi është kurorëzuar si mbret i Egjiptit në vitin 1922 kur dhe Anglia e njeh Egjiptin. Mirditasi nga Selita asokohe 35 vjecar, e ka përjetuar këtë kurorëzim të mbretit pikërisht duke qenë lulishtar i besuar i tij.

Vite më pas mori me vete edhe kushëririn e tij Gjin Gjok Përndreu.
Për të vazhduar pak rradhë me historinë e mbretit Fuad, ai ishte sundimtari i nëntë i Egjiptit dhe Sudanit nga dinastia Mehmet Ali.
Fuad ndërroi titullin Sulltan me atë të Mbretit, një kusht që Britania vendosi për të njohur pavarësinë e Egjiptit. Para se të bëhej sulltan (1917), Fuadi kishte luajtur rol kryesor në krijimin e Universitetit të Kajros; njihet si rektori i parë i tij nga viti 1908 deri më 1913, kur dha dorëheqjen për t’iu përkushtuar përpjekjeve për t’u bërë mbret i Shqipërisë.

Fakti që dinastia e Mehmet Aliut ishte me prejardhje shqiptare, e nxiti Fuadin të kërkonte fronin shqiptar, por pa sukses. Fuadi gjithashtu shërbeu si President i Shoqatës Geografike egjiptiane nga 1915 deri 1918. Ai vdiq në vitin 1936 (68 vjeç); në fron erdhi biri i tij, Faruk I, i cili u përmbys nga revolucioni egjiptian i vitit 1952 (vdiq në mërgim në Itali më 1965, në moshën 45 vjeçare). Motra e Farukut, Princesha Favzia Fuad ishte mbretëreshë bashkëshorte e Shahut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili u rrëzua nga revolucioni islamik më 1979.

Ndërkohë duke iu kthyer historisë së mirditasit në Egjipt, Kol Ndrec Nikolli, ai u kthy përgjithnjë në vendlindje në vitin 1927. Pati dy martesa pasi gruaja e parë i pat vdekur, ndërsa nga martesa me gruan e dytë u linden tri vajza dhe një djalë, por për fat të keq, djali vdiq në moshën 5 vjecare.
Nga tri vajzat e tij, njëra, të cilës edhe ia kemi marrë foton për ta publikuar me këto rrjeshta historie, është mësuese Age në Kodër Rrëshen, bashkëshorte e këngëtarit të Ansamblit Mirdita, Fran Preçi.

(Në foto: nga e majta në të djathtë: Kol Nikolli, mbreti Fuad, Gjin Përndreu, kuzhinieri i mbretit Fuad). / KultPlus.com

Të ngjajshme