6 Shtator, 2025 - 10:54 pm
BBC ka renditur fotografinë e Olsien Muçobegës, 33-vjeçar nga Shqipëria, në listën e 12 imazheve më të rëndësishme të vitit 2025.
Fotoja, e realizuar nga Thanasis Stavrakis për agjencinë Reuters, u shkrep gjatë zjarreve shkatërrimtare që goditën rajonin e Ahaisë në Greqi këtë verë. Në të shihet Muçobega duke shpëtuar një dele nga flakët, ndërsa e transporton me motor përmes tymit dhe zjarrit.
Ngjarja ndodhi në gusht, kur zjarret masive rrezikuan jetën e banorëve dhe kafshëve, duke detyruar shumë njerëz të braktisnin shtëpitë e tyre.
BBC e ka cilësuar fotografinë si një imazh me domethënie të thellë simbolike, duke e krahasuar me ikonografinë e “Bariut të Mirë” në artin e krishterë, ku Krishti bart mbi supe një kafshë të brishtë. Sipas medias britanike, kjo ngjashmëri e kthen fotografinë në një nga momentet më prekëse dhe të fuqishme të vitit./KultPlus.com