8 Gusht, 2025 - 6:03 pm
Astronomia shqiptare, Pranvera Hyseni ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Universitetin e Kalifornisë – Santa Cruz, ku është shpërblyer me çmimin vjetor për propozimin më të mirë të doktoraturës në Departamentin e Shkencave Planetare.
Ky çmim prestigjioz, që ndahet vetëm një herë në vit për kërkimin më premtues shkencor, vjen së bashku me një grant prej 3,000 dollarësh dhe përfaqëson një vlerësim të lartë për punën dhe potencialin e saj në fushën e astronomisë planetare, shkruan KultPlus.
Në fokus të hulumtimit të Hysenit janë asteroidët dhe trupat e vegjël në Sistemin Diellor, me interes të veçantë në ata që përmbajnë ujë dhe përbërje organike. Ajo studion proceset e transformimit të materialeve dhe kripërave që përmbajnë azot, përmes eksperimenteve laboratorike, vëzhgimeve me teleskop dhe modelimit teorik – kërkime që ndihmojnë në kuptimin e shpërndarjes së ujit dhe mundësisë së jetës në fazat e hershme të sistemit tonë diellor.
“Ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një dëshmi që pasioni dhe kureshtja për shkencë nuk varen nga vendi ku ke lindur,” shkruan Pranvera Hyseni, e cila po ashtu shprehu mirënjohje për komisionin vlerësues dhe mbështetjen nga departamenti i saj.
Ky është një tjetër sukses i madh për shkencën kosovare dhe një frymëzim i fuqishëm për të rinjtë që ndjekin ëndrrat e tyre në fushat STEM./KultPlus.com