Një tjetër shtet evropian kthen gjendjen e jashtëzakonshme, rivendos shtetrrethimin

4 Nëntor, 2020 - 9:56 am

Hungaria rivendosi gjendjen e jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Lajmi u konfirmua nga kryeministri Viktor Orban në një video të postuar në faqen e tij në Facebook.

Vendi do të mbyllë klubet e natës dhe do të vendosë një shtetrrethim gjatë natës për të frenuar përhapjen e infeksioneve të koronavirusit, tha Orban.

Kryeministri tha se qeveria do të ushtrojë një kontroll më të rreptë në vendet e argëtimit, të tilla si kinematë, teatrot dhe eventet sportive, për t’u siguruar që audienca të ndjekë masat e parashikuara për distancimin shoqëror dhe mbajtjen e maskave.

Nëse këto protokolle nuk ndiqen, policia ka autoritet të ndërhyjë, të gjobisë dhe madje të mbyllë vendet nëse është e nevojshme.

Qeveria gjithashtu do të “rrisë frekuencën e transportit publik në mëngjes dhe gjatë orës së pikut të mesditës” për të shmangur mbipopullimin, shtoi Orban.

Këto masa vijnë ndërsa numrat e rasteve ditore në Hungari vazhdojnë të rriten, duke e lënë qeverinë të shqetësuar për tejkalimin e kapaciteteve të spitaleve. / KultPlus.com

Të ngjajshme