Një tjetër tërmet godet Turqinë, një i vdekur mbi 100 të plasogur 

27 Shkurt, 2023 - 9:57 pm

Një tërmet me magnitudë 5.6 goditi Turqinë jugore të hënën, tre javë pas tërmeteve me përmasa katastrofike që shkaktuan dëme të mëdha në rajon. Termeti i të hënës shembi disa ndërtesa që ishin dëmtuar gjatë dridhjeve të mëparshme të tokës, duke vrarë të paktën një person, thanë autoritetet.

Më shumë se 100 persona u lënduan si pasojë e tërmetit të së hënës, me qendër në qytetin Yesilyurt në provincën Malatya, u tha gazetarëve Yunus Sezer, shefi i agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit, AFAD. Më shumë se 20 ndërtesa u shembën.

Një burrë dhe vajza e tij që ishin bllokuar nën rrënojat e një ndërtese katërkatëshe në Yesilyurt, u shpëtuan. Ata kishin hyrë në objektin e dëmtuar më parë për të marrë gjëra personale të tyre.

Në Malatya, autoritetet po zhvillonin kërkime në rrënojat e dy ndërtesave të dëmtuara që u rrëzuan mbi disa makina të parkuara, raportoi media turke, “HaberTurk”. Ende nuk dihet nëse ka njerëz të bllokuar nën rrënoja.

Malatya ishte ndër 11 provincat turke të goditura nga tërmeti me magnitudë 7.8 që shkatërroi pjesë të Turqisë jugore dhe Sirisë veriore më 6 shkurt. Ky i fundit shkaktoi vdekjen e më shumë se 48,000 njerëzve në të dyja vendet, si dhe në shembjen apo dëmtimin serioz të 185,000 ndërtesave në Turqi.

Shefi i AFAD-it u bëri thirrje njerëzve të mos hyjnë në ndërtesat e dëmtuara, duke thënë se pasgoditjet e forta vazhdojnë të përbëjnë rrezik. Më shumë se 10,000 pasgoditje janë regjistruar në këtë rajon që nga 6 shkurti.

Banka Botërore tha të hënën se tërmeti masiv shkaktoi 34.2 miliardë dollarë “dëme të drejtpërdrejta”, shifër kjo e barabartë me 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) të vendit më 2021.

Kostoja e rimëkëmbjes dhe rindërtimit mund të jetë potencialisht dy herë më e madhe, tha Banka Botërore, duke shtuar se humbjet e PBB-së do të rrisin gjithashtu koston e tërmetit.

Banka Botërore vlerësoi gjithashtu se 1.25 milionë njerëz kishin mbetur përkohësisht të pastrehë.

Ndërkohë, tifozët e ekipit turk të futbollit “Besiktas” mbushën fushën me lodra dhe veshje dimërore gjatë një ndeshjeje të zhvilluar të dielën për të mbështetur fëmijët e prekur nga tërmeti.

Të ngjajshme