Një vit pa disidentin Adem Demaçi

26 Korrik, 2019 - 9:52 am

Sot një vit u shua një ndër figurat e mëdha shqiptare, akademik Adem Demaçi, i cili tërë jetën e tij ia kushtoi veprimtarisë kombëtare e kështu duke fitoi epitetin si ‘Mandela i Kosovës’.

Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa më 26 korrik të vitit të kaluar ndërroi jetë.

28 vite nëpër burgjet e Jugosllavisë nuk qenë të mjaftueshme për të ndalur guximin e tij për çështjen kombëtare dhe nuk e kishin zbehur dashurinë për kombin.

Veprat letrare të Demaçit mbeten si dëshmi me vlerë për brezat e ardhshëm të cilët përmes atyre rreshtave do të mësojnë për historinë dhe vuajtjet tona.

Demaçi ishte kandidat dy herë për çmimin Nobel, njëherë në vitin 1992 dhe pastaj në vitin 2016.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga viti 1990 deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998-1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së. Ishte njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007).

Vizioni i Demaçit për një Kosovë të lirë dhe të pavarur u bë realitet, ndërsa regjimi jugosllav e përcillte në çdo intervistë. Rrëfimet e tij mbi vuajtjet tregonin një sistem të tërë dhune dhe rezistence.

Figura dhe emri i tij vazhdojnë të nderohen edhe pas vdekjes, ndërsa  për të nderuar veprimtarinë e Demaçit sot mbahet një akademi përkujtimore dhe do të vihet gurthemeli i shtatores së tij./KultPlus.com

Të ngjajshme