Njohja reciproke Kosovë-Serbi, për herë të parë në rezolutën e PE-së

14 Qershor, 2022 - 10:58 am

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi sot një rezolutë për Serbinë dhe një amendament i tij, i cili u përfshi në tekstin përfundimtar, përmend njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Është hera e parë që në një raport të Parlamentit Evropian për Serbinë përmendet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Është amandamenti 24 i rezolutës, i cili konfirmon mbështetjen evropiane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së dhe vlerëson punën e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Është e rëndësishme që autoritetet e Serbisë dhe Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve me qendër në njohjen reciproke, e cila është kyçe për përparimin e të dy vendeve në rrugët e tyre evropiane dhe do të kontribuojë në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal”, thuhet në amandamentin 24 të rezolutës.

Më pas u kërkohet të dyja palëve që të gjitha marrëveshjet e mëparshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të respektohen dhe të zbatohen plotësisht në mirëbesim dhe në kohën e duhur, duke përfshirë edhe atë që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Të ngjajshme