31 Maj, 2025 - 2:40 pm
Nxënës dhe mësues të shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani, përmes përkushtimit dhe krijimtarisë sollën një spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta, veshja e lashtë shqiptare e shpallur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Në aktivitetin përmbyllës, ku tradita u bë frymëzim dhe zanati u kthye në art, të rinjtë dëshmuan se aftësimi profesional është një rrugë e fortë drejt vetërealizimit dhe inovacionit kulturor.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit shprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani.
Xhubleta, me formën e saj të veçantë që daton që nga epoka e bronzit, u bë pikënisja për interpretimet moderne të stilit dhe identitetit, një shembull i gjallë sesi trashëgimia jonë e pasur mund të jetojë nëpërmjet brezave të rinj.
MEKI falënderoi për organizimin e këtij aktiviteti fondacionin “TRE MARIAT”, Qendra Antropologjike XHUBLETA, AKPA – për koordinimin me shkollat profesionale, SDC/S4J – për mbështetjen dhe besimin e treguar, Drejtorinë e Pronësisë Industriale – për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen ligjore të krijimeve, Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, që i japin jetë dijes çdo ditë dhe Albanian Night – një shtëpi e madhe e artit dhe mikpritjes shqiptare.
Ky projekt është dëshmi se kur rinia, kultura dhe edukimi bashkëpunojnë, rrënjët dhe krahët ecin bashkë.
Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.
Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste./atsh/KultPlus.com