NYT për Kosovën: Në vendin e ish-rebelëve, gratë gjejnë fuqinë tek kutitë e votimit

6 Mars, 2021 - 12:17 pm

Gazeta prestigjioze amerikane ka shkruar një artikull të gjatë për gratë në Kosovë, të titulluar “Në vendin e ish-rebelëve, femrat gjejnë fuqinë në kutitë e zgjedhjeve”.

Shkrimi i gazetarit Andrew Higgins nis me atë se si gratë në Kosovë po rriten sa i përket përfaqësimit në institucione, duke rritur kështu edhe shpresën për më shumë barazi gjinore në vendin e dalë nga lufta para 20 vitesh.

Deputetja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Saranda Bogujevci vihet në qendër të shkrimit. Ajo përshkruhet si një vajzë e cila ka përjetuar masakrën e familjes së saj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkohë, tani ajo paraqitet si një grua e fuqishme në mesin e shumë grave që do të jenë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

“Zonja Bogujevci, 35 vjeçare është më shumë se një simbol. Ajo është pjesë e një vale të vështirë të grave për tu zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, shtet ky që ka shpallur Pavarësinë në vitin 2008 por që ende mbetet një prej vendeve më të varfra në Evropë. Kur u shpallën rezultatet përfundimtare të enjten e kaluar, u bë e ditur se gratë fituan më shumë ulëse se asnjëherë më parë në Parlament, përafërsisht 40 për qind të totalit”, thuhet ndër të tjera në shkrim.

Më tutje në shkrim citohet aktivistja Nazlie Bala e cila për NYT flet për Saranda Bogujevcin e për të cilën thotë se është emblemë e shpresës në Kosovë.

“Ajo është një e mbijetuar. Ajo është e fortë si guri. Ajo është e vërteta”, ka thënë Bala.

Shkrimi vazhdon me synimin e presidentes në detyrë Vjosa Osmani, për të marrë mandatin e presidentes së Kosovës edhe për katër vitet e ardhshme.

Në shkrim thuhet se Osmani ka fituar vota në zgjedhjet e fundit më shumë se çdo kandidat tjetër në historikun zgjedhor të Kosovës, në vitet e pasluftës.

Performancën në zgjedhje, Osmani e sheh si një gatishmëri të Kosovës për të pasur një presidente grua.

“Kosova nuk është gati vetëm për një presidente grua, por votoi për një grua, pavarësisht mentalitetit patriarkal të ngritur ndër shekuj”, ka thënë Osmani për New York Times.

Artikulli vazhdon me deputeten e re, nga Lista Vjosa, Doarsa Kica e cila është një avokate me profesion për që ka fituar votat e nevojshme për të marrë një ulëse në Kuvendin e Kosovës.

“Doarsa Kica, një avokate 30-vjeçare, hoqi dorë nga puna e saj për të kandiduar në një platformë antikorrupsion, duke përmendur takime në gjykatë me gjyqtarë të korruptuar dhe zemërim me politikanë “të cilët jetojnë në shtëpi me milion dollarë kur ata kanë vetëm një pagë mujore $ 1,000”, thuhet në shkrim.

Për artikullin flet edhe aktivistja e të drejtave të grave Igballe Rugova e cila thotë se gratë në Kosovë tani nuk po i votojnë gratë vetëm sa për të përmbushur kuotën gjinore në Kuvend por sepse kanë besim në ato si politikane dhe mendojnë se i meritojnë votat.

Ndërkohë, artikulli përmbyllet ndër të tjera me liderin e VV-së, Albin Kurti për të cilin thuhet se në zgjedhjet e fundit parlamentare ka bashkuar forcat me Vjosa Osmanin duke thyer rekord në promovimin e grave

“Kryeministër për një kohë të shkurtër vitin e kaluar, ai ka vënë gratë në krye të një të tretës së ministrive në Qeverinë e tij. Qeveritë e mëparshme kishin një ose asnjë të tillë”, thuhet në shkrimin e New York Times për gratë dhe zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë./koha.net/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme