Objektet në kryeqytet që mund të shndërrohen në qendra për trajtimin e pacientëve me COVID-19

9 Mars, 2021 - 9:04 am

Nënkryetar i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi tha se kjo komunë është e gatshme të shndërrojë Pallatin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve “Adem Jashari” në një qendër për trajtimin e pacientëve me Covid-19 me afër 400 shtretër, nëse eskalon situata me koronavirus.

Madje, ai deklaroi se edhe 13 shtëpiza në parkun e “Gërmisë” i kanë ofruar në shërbim të ministrisë së Shëndetësisë.

Nushi tha se në dy javët në vazhdim do të ketë rritje të rasteve me Covid-19, duke shtuar se një situatë e tillë do t`u krijoj probleme, por thekson se kjo komunë është e përgatitur për  përkeqësim të gjendjes, transmeton Klan Kosova.

“Numri i cili po rritet dita ditës dhe kjo si arsye e fushatës elektorale të cilën e kemi pasur por edhe si arsyetim tjetër është mos respektimi i masave nga ana e IKShPK-së, mos respektimi i masave nga ana e qytetarëve kjo për arsye se nuk po bahen maskat nuk po respektohet distanca sociale dhe po besojmë që në dy javët në vazhdim do të jetë me rritje të vazhdueshme të numrave”, tha ai.

“Kjo do të shkaktojë telashe dhe probleme në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi për arsye të pamundësisë së menaxhimit. Komuna e Prishtinës është e përgatitur edhe për eskalim të situatës në kuptimin që i kemi 13 shtëpiza në parkun e Gërmisë dhe të cilat i kemi ofruar në shërbim të ministrisë së Shëndetësisë, por e kemi të përgatitur edhe Pallatin e Kulturës “Adem Jashari”, e cila mund të rregullohet brenda kohës shumë të shkurtër për afër 400 shtretër”, u shpreh ai.

Numri infektimeve me virusin Covid-19, ka shënuar rritje në Kosovë. Nushi thotë se në rast eskalimit duhet të merret parasysh edhe mundësia e shndërrimit të hoteleve në qendra karantinimi.

Tutje, ai u bën apel qytetarëve që të respektojnë masat parandaluese për përhapjen e Coronavirusit.

“Prandaj jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe IKSHPK-në në rast të eskalimit të situatës që të merret parasysh edhe mundësia e angazhimit të hoteleve të cilat deri më tash në shumicën e shteteve janë marrë si opsione të karantinimit të qytetarëve”, tha ai.

“Tashmë jemi në valën e tretë dhe lus qytetarët të respektojnë masat në mënyrë që të mos vijmë në situatë të mos menaxhimit të situatës nëse eskalon nuk do të ketë më kapacitete as QKUK-ja, as komuna e Prishtinës që të menaxhon. Nëse vazhdojmë me këta numra atëherë mund të shkaktojë probleme të mëdha në infektimin e personelit shëndetësor. Po shpresoj që nuk do të kthehemi në LockDoën”, përfundoi nënkryetari i Prishtinës. / KultPlus.com

Të ngjajshme