Objekti i gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj – kërcënim për mirëqenien dhe jetën e fëmijëve

24 Tetor, 2023 - 5:05 pm

Organizata ETEA është duke i përcjellur me shqetësim raportet mediatike mbi gjendjen e rëndë të objektit të gjimnazit “Dr. Shaban Hashani” në Ferizaj. Për më gjatë se një vit, të tilla raporte përsëriten në mediat e Kosovës pothuajse çdo muaj dhe asnjë prej tyre nuk përbën informacion për angazhim të institucioneve krahas urgjencës për ndërhyrje që ka objekti në fjalë. Përkundrazi, raportet e mediave tregojnë se gjendja dukshëm po përkeqësohet dhe rrezikshmëria për nxënësit/et e kësaj shkolle po rritet me kalimin e kohës!

Çdo fëmijë ka të drejtë të arsimohet në një mjedis të sigurt, të pastër dhe të favorshëm. Fatkeqësisht, kushtet në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” nuk plotësojnë as për së afërmi këto të drejta elementare.

Kjo nuk përbën vetëm një çështje të një objekti shkollor të mirëmbajtur keq. Gjendja aktuale e këtij objekti, të ashtquajtur shkollor, përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për mirëqenien dhe jetën e mbi 1300 nxënësve/eve! ETEA konsideron se kjo çështje përbën urgjencë nacionale.

Si rrjedhojë e gjendjes kritike, ankesat e deritanishme të mësimdhënësve/eve, psikologëve/eve dhe stafit administrativ të shkollës në fjalë, tani kanë shkuar një hap tutje ku ka filluar bojkoti i mësimit në shenj proteste.

Në vend të vlerësimit të gjendjes urgjente, Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Ferizaj po kërcënon mësimdhënësit/et me përjashtim nga puna.

Organizata ETEA është tërësisht e zhgënjyer dhe indinjuar me vendimin e DKA-së në Ferizaj. Në asnjë rrethanë nuk justifikohen masat diciplinore dhe ndëshkimore ndaj mësimdhënësve/eve që ngrisin zërin dhe/apo protestojnë për kushte më të mira të mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Në këtë kuadër, organizata ETEA inkurajon të gjithë mësimdhënësit/et, prindërit dhe kujdestarët/et ligjor/e të nxënësve/eve që vijojnë procesin mësimor në gjimnazin “Dr. Shaban Hashani” që të bashkohen dhe reagojnë për kushte më të mira mësimore. Njëherësh, duke pasur parasysh mospërfilljen e ankesave të deritanishme, komuniteti i shkollës në fjalë (palët e lartëcekura) inkurajohet që të aplikoj metoda të tjera për të kërkuar me çdo kusht vëmendjen dhe veprimet e menjëhershme institucionale.  Pashmangshëm, këtu duhet të përfshihet edhe komuniteti (palët e lartëcekura) i shkollës së mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, duke qenë se, pavarësisht kushteve më të mira, fëmijët e tyre vijojnë mësimet në po të njejtin objekt.

Gjithsesi, ETEA konsideron se është tejet e rëndësishme dhe i bën thirrje të gjithë mësimdhënësve/eve dhe palëve tjera të komunitetit shkollor që në këtë mes të mos i përfshijnë dhe përdorin fëmijët, aq më pak të publikojnë bisedat dhe/apo ankesat e tyre me identitet të pambrojtur në rrjete sociale.

Për fund, ETEA kërkon ndaj Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Ferizaj që, në vend se të angazhohet dhe të inicojë procedura ndëshkimore ndaj mësimdhësve/eve që protestojnë për kushte më të mira mësimore, energjinë e tillë ta kanalizojë në zgjidhjen e menjëhershme të problemit në fjalë. Në këtë rrafsh, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) urgjentisht duhet që të lehtësojë të gjitha procedurat dhe të angazhohet aktivisht për ta mbështetur dhe shtyrë Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në Ferizaj për zgjidhjen e këtij problemi, që në fakt, sipas organizatës ETEA, përben problem me relevancë nacionale. Këtu flitet për mirëqenien dhe jetën e mbi 1300 fëmijëve të Kosovës që jetojnë në Ferizaj.

Ditëve në vijim, organizata ETEA do ta vizitojë shkollën “Dr. Shaban Hashani” dhe “Elena Gjika” në Ferizaj dhe do të angazhohet në mobilizimin e burimeve përkatëse për të adresuar problemin në fjalë me qëllim kryesor përmirësimin e mjedisit mësimor dhe shmangien e kërcënimit që ky objekt shkakton ndaj mirëqenies dhe jetës së nxënësve/eve ferizajas/e. /KultPlus.com

Të ngjajshme