OBSH apel para festave: Krishtlindje në shtëpi, nuk ia vlen rreziku

19 Dhjetor, 2020 - 9:27 am

Shefi i zyrës rajonale të OBSH’së për Evropën u ka bërë apel të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi për Krishtlindje duke insistuar se nuk ia vlen të rrezikohen dhe të infektohen me Covid-19.

Në një deklaratë të Hans Kluge, thuhet:

“Ka një dallim mes asaj që ju lejohet të bëni nga autoritetet dhe asaj që duhet të bëni. Ne kemi edhe disa muaj të tjerë sakrifice përpara dhe mund të sillemi tani në një mënyrë që do të na bëjë krenarë të gjithëve. Kur të kthejmë kokën prapa për të kujtuar këto kohë të paprecedenta, unë shpresoj që të gjithë të ndjejmë se kemi vepruar me shpirtin e humanizmit për të mbrojtur ata që kanë më shumë nevojë”.

Kluge thotë se shkatërrimi i shkaktuar nga pandemia ka goditur rëndë komunitetet në Evropë duke paralajmëruar veçanërisht për pasojat te shëndeti mendor. Covid-19 ka detyruar familje dhe komunitete të ndahen, ka falimentuar biznese dhe ka privuar njerëzit nga mundësitë që një vit më parë dukeshin të sigurta.

Nga ankthi për prekjen nga virusi, pasojat psikologjike të izolimeve dhe vetizolimi e deri tek pasojat e papunësisë, shqetësimet financiare dhe përjashtimi social, pasojat shëndetësore të kësaj pandemie do të jenë afatgjata dhe do të shkojnë shumë larg. Ajo që ka rezultuar – thotë ai – është një krizë në rritje e shëndetit mendor në Evropë. / gazetaexpress/ KultPlus.com

Të ngjajshme