14 Korrik, 2023 - 9:58 am
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar raportin e parë në lidhje me rrezikshmërinë e ëmbëlsuesit artificial që përdoret gjerësisht në botë, i quajtur aspartame.
Në raportin e OBSH-së thuhet se aspartame ka të ngjarë të lidhet me sëmundjet kancerogjene dhe se duhet të konsiderohet “ndoshta përbërës kancerogjen”.
Aspartame përdoret në produkte të ndryshme, nga pijet e gazuara dietike Coca-Cola, te çamçakëzët, akulloret dhe pastë dhëmbësh.
Disa nga hulumtimet e rishikuara nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkimin e Kancerit të OBSH-së (IARC) tregojnë se mund të ketë një lidhje të mundshme midis aspartame dhe kancerit të mëlçisë, sakaq theksohet se ky konstatim nuk është definitiv.
“Gjetjet e provave të kufizuara të kancerogjenitetit tek njerëzit dhe kafshët, dhe e provave të kufizuara mekanike se si mund të ndodhë kancerogjeniteti, nënvizojnë nevojën për më shumë kërkime për të përmirësuar të kuptuarit tonë nëse konsumimi i aspartame përbën një rrezik kancerogjen,” tha Dr Mary Schubauer- Berigan i programit të Monografive të IARC.
Ndërkaq kategorizimi i ëmbëlusesit artificial si “kancerogjen” nuk merr pastaj parasysh nëse konsumohet pak apo shumë nga ky ëmbëlsues pasi cilësohet i rrezikshëm në çdo sasi.
Priten të zhvillohen kërkime të tjera për të patur një koncept më të qartë në lidhje me rrezikshmërinë e ëmbëltuesit.
Vendime të ngjashme të IARC në të kaluarën për substanca të ndryshme kanë ngritur shqetësime tek konsumatorët për përdorimin e tyre duke çuar në padi dhe presion ndaj prodhuesve që të rikrijojnë receta alternative. Kjo ka çuar në kritika nga industria ushqimore se vlerësimet e IARC mund të jenë konfuze për publikun.
Konfuzionet fillestare në lidhje me aspartame
Ka pasur një konfuzion rreth aspartame që në fillim. Në vitin 1974 , FDA miratoi përdorimin e aspartame në disa ushqime dhe pije, por vendimi u pezullua për disa vite për shkak të disa studimeve kontradiktore , kundërshtimeve ndaj miratimit të tij dhe pyetjeve në lidhje me vetë studimet fillestare. Disa shkencëtarë ishin të shqetësuar kur një studim i hershëm te kafshët tregoi se aspartame mund të ketë shkaktuar tumore të trurit te minjtë.
Vetëm në vitin 1981, pas një hetimi të plotë, FDA më në fund lejoi tregtimin e aspartame në ushqime të thata. Atë vit, Komiteti i Ekspertëve të FAO/OBSH për përcaktoi parametrat për një konsum të pranueshëm ditor. / KultPlus.com