Oda e Mjekëve të Kosovës përuron revistën “Mjeku”, paraqiten të arriturat e sistemit shëndetësor

2 Prill, 2021 - 1:08 pm

Oda e Mjekëve të Kosovës ka bërë përurimin e revistës “Mjeku” në të cilën është paraqitur puna e sistemit shëndetësor të Kosovës.

Drejtori i Odës së Mjekësve, Pleurat Sejdiu ka thënë se revista “Mjeku” pritet që pas 30 vitesh në mungesë, të paraqes të arriturat e punës së sistemit shëndetësor.

“Ne kemi menduar se kjo arritje e Odës do të dukej ndryshe, por nuk kemi menduar se do ta nisnim këtë me kujtimin për mjekët tanë të rënë gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.”

“Kemi arritur që pas 30 vitesh kur është kidnapuar revista e vetme e Fakultetit të Mjekësisë ne të fijomë një epokë të re të revistës ku do të publikohen të arriturat e kolegëve tanë, sistemit tonë. Vitin e kaluar është marrë vendimi për fillimin e botimit të kësaj reviste e cila do të botohet katër herë në vit. Kurse vitin e ardhshëm presim ta kemi revistë mujore jo vetëm me numër por me kualitet”, është shprehur ai.

Sami Uka, këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, ka thënë se në emër të Arben Vitisë shpreh mirënjohje për punën e stafit shëndetësor.

“Ju përcjell përgëzime të sinqerta dhe mirënjohje në emër të ministrit Arben Vitia për punën dhe angazhimin tuaj”, është shprehur ai.

Uka ka thënë se pandemia nuk ka përfunduar dhe fillimi i vaksinimit është vetëm një etapë e re e luftimit të saj.

“Asnjëherë më tepër nuk na është dashur më shumë bashkëpunimi. Koordinimi i mirëfilltë, pa teke e lajka mes gjitha institucionet shëndetësore është parakusht për menaxhimin e pandemisë”, është shprehur ai.

“Kjo është etapë e re në luftën kundër pandemisë. Kjo arritje e re, me botimin e parë të Revistës “Mjeku”, uroj të ketë jetë të gjatë”, ka shtuar ai

Isuf Dedushaj, doktor, ka thënë se është i lumtur dhe ka emocione që pas një periudhe të gjatë, Oda nxori një revistë që hap rrugë për afirmimin e punës së mjekëve të rinj.

“Ky lajm më emocionoi e më gëzoi, promovimi i revistës vendore bëhet edhe më i gëzueshëm në situatën që jemi sot. Kemi pasur një zbrasti intelektuale në drejtim të promovimit të punës tonë profesionale. Uroj që kjo revistë të avancohet dhe të bëhet edhe revistë mujore. Kjo të bëhet revistë e dëshirueshme dhe e çmueshme jo vetëm për ne po edhe për ndërkombëtarët. Ka një titull shumë simbolik e motivues.”

Kryeredaktori i Revisës “Mjeku”, Fisnik Kurshumliu, ka thënë se temë e kësaj reviste do të jetë pandemia dhe situata e përgjithshme në Kosovë.

“Revista do të publikohet çdo tre muaj me një temë bosht. Për këtë muaj tematikë kemi pandeminë “Covid-19” dhe situatën në të cilën gjendemi sot. Përmbajtja dhe imazhi i kësaj reviste varet nga të gjithë mjekët që përmes shkrimeve do të shpalosin punën e tyre”, është shprehur ai. / Ekonomia online / KultPlus.com

Të ngjajshme