OKB-ja: Së paku 400.000 fëmijë të Jemenit mund të vdesin nga uria këtë vit

12 Shkurt, 2021 - 3:26 pm

Katër agjenci të Kombeve të Bashkuara thanë të premten se së paku 400.000 fëmijë nën moshën 5-vjeçare në Jemen mund të vdesin nga uria këtë vit, nëse nuk bëhet ndërhyrje urgjente. Kjo gjendje është përkeqësuar edhe nga kequshqyerja e rëndë, e shkaktuar nga lufta dhe pandemia e koronavirusit.

Paralajmërimi i tmerrshëm vjen gati gjashtë vjet pas shpërthimit të luftës që rreth 80 për qind të popullsisë e la të varur nga ndihmat humanitare, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në raportin e publikuar të premten, agjencitë e Kombeve të Bashkuara parashikuan 22 për qind rritje të kequshqyerjes së rëndë akute te fëmijët nën  moshën 5-vjeçare në Jemen, në krahasim me vitin 2020.

Kequshqyerja e rëndë akute nënkupton se ka rrezik të vdekjes nga mungesa e ushqimit. Adeni, Hodeidah, Taizi dhe Sanaa janë në mesin e rajoneve më të prekura nga kequshqyerja, thuhet në raport.

“Këto shifra janë një thirrje tjetër për ndihmë nga Jemeni, ku secili fëmijë i kequshqyer nënkupton një familje që po përpiqet për mbijetesë”, tha drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, në një deklaratë të përbashkët me Organizatën për Ushqim dhe Bujqësi, UNICEF-in dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Gjatë vitit 2021, pritet që në Jemen nga kequshqyerja akute të vuajnë rreth 2.3 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare. Kequshqyerja e fëmijëve dhe nënave në Jemen është përkeqësuar me kalimin e viteve të konfliktit, thanë këto organizata. Në rëndimin e situatës më pas kanë ndikuar edhe shkalla e lartë e sëmundjeve dhe mungesa e sigurisë së ushqimit. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme