Olaf Scholz: Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

10 Qershor, 2022 - 1:38 pm

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, menjehërë pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka mbajtur një konferencë për media dhe ka theksuar se Bashkimi Evropian duhet të bëjë punën e saj sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët, shkruan KultPlus.

Scholz deklaroi se është angazhuar dhe po vazhdon ta bëjë një gjë të tillë që liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet sa më shpejt, pasi sipas tij, kushtet janë plotësuar.

“Bashkimi Evropian duhet të bëjë punën e saj për liberalizimin e vizave. Unë me partnerë jemi duke u angazhuar për këtë. Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt pasi kushtet janë plotësuar. Ne po flasim me partnerët tanë në mënyrë që t‘i bindim edhe ata siç jemi bindur ne”, ka thënë Scholz.

Ndër të tjera, kancelari gjerman vlerëson se Kosova ka shanse reale për anëtarësim në BE, por që kjo mund të zgjasë

“Ne jemi edhe më tej besim që kjo rrugë e nisur drejt BE ka një shans realist. Për dikë kjo rrugë shkon më shpejt e për dikë më ngadalë”.

Më tej, Scholz thotë se Kosova si partner qëndron në anën e bashkësisë ndërkombëtare.

“Krahas marrëdhënieve tona, ne biseduam për liberalizimin e vizave që po mungon si dhe pozicionimin e Kosovës karshi agresionit rus në Ukrainë. Kosova si partnere e besueshme qëndron në anën e bashkësisë ndërkombëtare. Kemi biseduar për Procesin e Berlinit, dëshiroj që bashkë me partnerët tanë ta rijetësojmë atë këtë vit dhe këtë vjeshtë do të ftojë një konferencë në Berlin”, tha ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme