Olen Çezari tregon takimin me Pippo Baudo, ngjarje që i shënoi të ardhmen

27 Prill, 2021 - 6:27 pm

Violinisti i talentuar Olen Çezari ka shëtitur me instrumentin e tij muzikor me dhjetëra teatro në mjaft vende të botës duke mbajtur koncerte e performanca të jashtëzakonshme.

U ngjit në skenë në moshën 5-vjeçare si një virtuoz i lindur dhe në moshën 7-vjeçare dha koncertin e tij të parë recital në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në moshën 10-vjeçare e mbaroi gjithë programin e Liceut Artistik dhe si mbaroi këtë, ishte i vetmi fëmijë mes studentëve 24-vjeçarë që korrte sfidat në Institutin e Lartë të Arteve. Shteti e dërgoi në Romë të vazhdonte studimet për violinën. Në moshën 18-vjeçare kishte mbaruar 3 konservatore: një në Shqipëri, një në Itali, dhe një në Austri. Në vitin 2010, Çezari publikon albumin “Unexpected”.

I ftuar në emisionin për fëmijë në Tv Klan, Çezari theksoi se historitë në jetën e tij janë të shumta, por njërën do ta veçonte si më të veçantën: “Mund të numëroj pa fund histori që më kanë ndodhur…”.

Karriera e Olen Çezarit ka shëtitur pothuaj të gjithë botën. Gjatë bisedës ai veçoi një takim, të cilin mund ta cilësojë si një prej atyre historive që shënuan të ardhmen e tij si violinist.

“Mund t’ju tregoj një histori gallatë. Ime më më kishte lënë porosi t’i çoja një violin dikujt. Ma dha adresën, u nisa drejt saj. Kur mbërrita, u mahnita nga ajo studio gjigante. Ana Maria e kishte emrin vajza së cilës duhet t’i dorëzoja violinën. Ishte në një orkestër ku ishte edhe babai i Giorgia-s. Kur e çova, thashë ‘a mund të provoj t’i bie violinës?’ dhe nisa t’i bija… Pas pak, pashë dikë që po vraponte drejt meje. Ishte Pippo Baudo….”

Atë që ndodhi pas kësaj, e vijoi Alketa: “Pippo Baudo ishte ai që mori në telefon mamanë tënde dhe i tha se ky djalë nuk do të kthehet më në Shqipëri…”

Kështu, për Olenin dhe për fatin e tij të mëvonshëm, kjo ishte një ngjarje mjaft domethënëse. Pas kësaj, të gjithë nisën të kuptonin se një gjeni shqiptar mund të konkurronte këdo me talentin e tij./ KultPlus.com

Të ngjajshme