8 Korrik, 2025 - 5:00 pm
Aktiviteti i përvitshëm veror “Open Cinema”, këtë sezon do të nisë nga qyteti i Gramshit.
Aktiviteti do të vazhdojë për tri net rresht, 10, 11 dhe 12 korrik. Filma, muzikë, artistë dhe kineastë të ftuar do të jenë pjesë e edicionit të nëntë të “Open Cinema”.
Mbrëmja e parë do të çelet me praninë e regjisorit të mirënjohur Esat Musliu, si dhe të aktorit të dashur për publikun Ndriçim Xhepa. “Open Cinema” do të sjellë filma të njohur për publikun. Nën sloganin “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”, aktiviteti vazhdon të jetë urë mes brezave dhe një homazh i gjallë për trashëgiminë filmike.
Mbrëmjet e kinemasë shëtitëse do të shoqërohen me muzikë live, përpara çdo projeksioni nga një grup artistësh të njohur si Irma dhe Eranda Libohova, Maya Aliçkaj, Megi Laska, Liljana Kondakçi etj. Ndërsa violinistja virtuoze Aiola Leska do të sjellë kolonat zanore më të ndjera nga kinematografia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare.
Fëmijët do të kenë gjithashtu hapësirën e tyre në këtë aktivitet, me animacionet shqiptare klasike dhe bashkëkohore që do të projektohen në ekranin e madh./atsh/KultPlus.com