Opera e Kosovës prezanton Ognian Draganoff si regjisor të operës ‘Carmen’

8 Korrik, 2025 - 10:02 pm

Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.

Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.

Ndërkaq sot Opera e Kosovës ka prezantuar Ofnian Drafanoff si regjisor të operës ‘Carmen në Prishtinë.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Operës së Kosovës:

Opera e Kosovës ka nderin të prezantoj OGNIAN DRAGANOFF si regjisor të operës „Carmen“

Ognian Draganoff është regjisor bullgar me karrierë të gjatë dhe të pasur në teatrin operistik. Ai studioi performancë muzikore dhe regji operistike në Bullgari me Plamen Kartaloff dhe Vanya Bachvarova, duke u diplomuar në Akademinë Shtetërore të Muzikës “Panço Vladigerov” në Sofje, në klasën e Pavel Gerdzhikov. U specializua më tej në Opera du Rhin në Strasburg nën drejtimin e Albert-André Lheureux.

Pas një periudhe si anëtar i Orkestrës së Operës Kombëtare të Sofjes, ai u përkushtua regjisë dhe menaxhimit artistik. Nga viti 1996 deri në 2002 shërbeu si drejtor i përgjithshëm i Operës Kombëtare të Sofjes. Ka qenë gjithashtu drejtor i ftuar dhe rezident në shtëpi operistike në Greqi, Maqedoni dhe Rumani (2008–2012), si dhe drejtor kryesor i Operës në Sarajevë në të njëjtën periudhë.

Nga viti 2013 deri në 2015 drejtoi Operën Shtetërore Ruse në Bullgari, ndërsa prej vitit 2015 është drejtor i Operës Shtetërore të Stara Zagorës. Me mbi 80 produksione operistike në repertorin e tij, Draganoff njihet për vizionin e tij regjisorial dhe për shfaqje që janë prezantuar me sukses në shumë skena të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Holandë./KultPlus.com

Të ngjajshme