Oprah flet për herë të parë për ‘prapaskenat’ e intervistës së Meghan dhe Harryt

26 Prill, 2021 - 7:09 pm

Kur Oprah Winfrey u ul në kopshtin e Harry dhe Meghan, përballë tyre për t’i intervistuar, ajo nuk e imagjinonte që kjo intervistë do të bënte një jehonë të tillë, saqë do të ishte në gjendje të lëkundte ekuilibrin e familjes mbretërore britanike.

Prezantuesja e famshme ka folur për herë të parë për intervistën e bujshme, me rastin e prezantimit të librit të saj “What Happened To You? Conversations on Trauma, Resilience, and Healing”.

“Nuk ia kisha idenë se do të bënte zhurmën që bëri dhe vazhdon të bëjë”, tha Winfrey për gazetaren Nancy O’Dell.

Ajo tregoi se çfarë e befasoi më shumë, ishte fakti që Markle u shkoi gjërave deri në fund, duke bërë akuza të rënda – para së gjithash, atë të racizmit – kundër institucionit mbretëror.

“Unë kam qenë duke u përgatitur për një kohë të gjatë,” u shpreh Oprah.

“Ishte me të vërtetë e rëndësishme për mua që ajo që publikuam të dilte kur të gjithë mund ta shihnin, pa deklarata të rrjedhura para intervistës që mund të keqkuptoheshin.”

Në total, intervista zgjati 3 orë e 20 minuta.

Oprah i kërkoi ekipit që ishte me të, të ishte i rezervuar për ato çfarë kishte dëgjuar. Ajo u tha:

“Ne të gjithë e dimë se çfarë u tha këtu dhe sa e rëndësishme është t’u besosh njerëzve që sapo e ndanë këtë gjë, kështu që shpresoj që ju të mos dilni jashtë dhe të ndani atë që sapo ndodhi këtu”.

Sa i përket Meghan dhe Harryt, Oprah tha se qëllimi i përbashkët me ta ishte e vërteta.

“Unë u thashë atyre se ishte shumë e rëndësishme për mua të kuptoja cili ishte qëllimi i tyre, në mënyrë që të mund të isha në një linjë me ta. Qëllimi ynë i përbashkët ishte e vërteta. Meghan dhe Harry donin të ishin në gjendje të ndanin historinë e tyre dhe të ishin në gjendje ta bënin atë në mënyrën më spontane të mundshme”./ KultPlus.com

Të ngjajshme