Orari i shkurtuar i punës në Finlandë, lajm i rremë

8 Janar, 2020 - 8:56 am

Qeveria finlandeze të martën demantoi një lajm të shpërndarë në mediat botërore rreth planit të këtij vendi nordik për të ulur orët e punës për punëtorët me orar të plotë në 24 orë në javë, apo katër ditë gjashtë-orëshe në javë.

Gazeta dhe portale në SHBA, Britani, Indi, Pakistan, Rusi e Australi (shën.red. edhe në Kosovë), ishin në mesin e mediumeve të cilat dy ditë më parë “përgëzuan” kryeministren finlandeze Sanna Marin për planin e orarit të shkurtuar të punës, raporton “The Associated Press”.

Por zëdhënësja e qeverisë finlandeze, Paivi Anttikoski, tha se Marini e kishte dhënë idenë se Finlanda një ditë mund të adoptojë planin e punës për javën me katër ditë pune apo ditët me gjashtë orë pune – jo të dyja – disa muaj para se 34 vjeçja të bëhej shefja më e re e një qeverie në botë në dhjetor, transmeton Koha.net.

Marini “e parashikoi idenë shkurtimisht në një panel diskutimi gushtin e kaluar derisa ishte ministre e Transportit, dhe nga ajo kohë s’ka pasur aktivitete tjera” për të shtyrë këtë iniciativë përpara, ka thënë Anttikoski të martën.

As agjenda e qeverisë së koalicionit me pesë parti të cilën e udhëheqë Marini e as takimet e kabinetit të saj nuk e kanë përmendur këtë propozim, ka thënë zëdhënësja.

Besohet se raportimet e pasakta janë ngritur nga një artikull i publikuar më 2 janar nga “New Europe”, një gazetë e Brukselit që kryesisht mbulon çështjet e Bashkimit Evropian. Artikulli i këtij mediumi thoshte se Marini e kishte ngritur çështjen e ditës gjashtë-orëshe të punës dhe javën katër-ditore në muajin gusht dhe nuk ka thënë më asgjë për të që kur është bërë kryeministre.

Zoi Didili, reporterja që e kishte shkruar artikullin, i ka thënë të martën agjencisë “The Associated Press” se përkthimi nga burimet finlandeze të lajmeve ku është bazuar kishin disa detaje të gabuara, si deklarimi i gabueshëm se Marini kishte propozuar të dy planet të realizohen njëkohësisht.

Artikulli i “New Europe” është korrigjuar, dhe kanë kontaktuar edhe me zyrën e Marinit, ka thënë Didili.

“Baza e artikullit ishte se ne donim të dinim nëse kryeministrja finlandeze do t’i mbante qëndrimet e saja të mëhershme. Kësaj radhe ne ramë në grackën e të moskontrolluarit të informatës si duhet”, ka thënë Didili.

“Jemi shqetësuar me faktin se aq shumë mediume e kanë raportuar artikullin pa e kontrolluar atë nga burimet origjinale”, shtoi ajo. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme