Organizohet veprimtari solemne kushtuar akademikes së parë shqiptare, Andromaqi Gjergji

11 Shkurt, 2021 - 2:30 pm

Me rastin e 11 shkurtit, Ditës ndërkombëtare të grave dhe vajzave në shkencë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Rrjetin Shqiptar të grave në Shkencë organizojnë veprimtarinë solemne: “Të jesh e para në traditë”, kushtuar akademikes së parë shqiptare, etnologes Andromaqi Gjergji.

Andromaqi Gjergji (20 maj 1928, Korçë – 8 korrik 2015, Tiranë) është etnologe dhe historiane e shquar dhe e para femër akademike shqiptare.

Andromaqi Gjergji u lind në Korçë ku kreu edhe arsimin fillor dhe atë të mesëm. Në vitet 1947–1949 ndoqi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar të Tiranës dhe filloi punën në sektorin e etnografisë në Institutin e Shkencave. Më vonë plotësoi studimet e larta dhe u diplomua në degën e historisë të UT. Vijoi punën si etnologe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, dhe më vonë në Institutin e Kulturës Popullore. Ku ka punuar për të gjithë kohën deri në moshën e pensionit në të njëjtin seksion shkencor, atë të Etnologjisë së Akademisë. Në këtë rrugë ajo eci me shumë punë ku pas shumë vitesh dha provimet e para si “Kandidate e Shkencave” dhe pastaj “Doktore e Shkencave”. Këtë titull e mori në vitin 1982. Akademikja dhe studiuesja Andromaqi Gjergji është nderuar me titullin “Qytetar Nderi i qytetit të Korçës” me motivacionin : “Shkencëtares korçare, anëtares së parë femër të Akademisë së Shkencave për kontributin e paçmuar në fushën e etnografisë dhe artit popullor, duke u bërë pjesë e etnografisë europiane dhe botërore“.

Kujtojmë që 11 shkurti u shpall si Dita Ndërkombëtare e grave dhe vajzave në shkencë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara më 22 dhjetor të 2015-s për të riafirmuar dhe pranuar kështu rolin që luajnë gratë dhe vajzat në komunitetet e shkencës dhe teknologjisë me qëllim final barazinë gjinore. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=268570864617749

Të ngjajshme