”Origjina është barrë e rëndë, të cilën njeriu e bartë në kokë e mbi supe gjatë jetës..”

29 Gusht, 2023 - 11:26 pm

Daut Dauti

Origjina është barrë e rëndë, të cilën njeriu e bartë në kokë e mbi supe gjatë jetës. Në rini njerëzit ndikohen nga rrethanat që mbizotërojnë në shoqëri dhe etnikisht apo kombëtarisht deklarohen si diçka që nuk janë. Pra, lidhen me ‘realitetin’ që është në modë. Por, në moshën e pleqërisë, njerëzit i kthehen origjinës.

Në Maltë të rinjtë i ikin gjuhës së tyre amtare (malteze) për shkak se kjo gjuhë është në fakt dialekt i arabishtes dhe ata nuk duan të identifikohen me arabët. Kur bisedoja me pleqtë, ata nuk e mohonin këtë fakt. Madje, mburreshin me prejardhjen e tyre dhe gjuhën.

Njësoj është me shqiptarët (arvanitasit) në Greqi. Pleqtë nuk e mohojnë etninë e tyre, kurse fëmijët e tyre, po. Kështu është derisa këta të rinj ta arrijnë moshën e pleqërisë.

Mark Milani vinte nga pjesa e sllavizuar e fisit Kuç. Ai e mbante veten për serb dhe kishte arritur respekt dhe pozita të larta në shtetin e Malit të Zi, nga ku ushtroi masakra kundër shqiptarëve. Por, në pleqëri iu kthye origjinës dhe shkroi disa libra që u bënë të rëndësishme për historinë e shqiptarëve. Mark Milani apo Marko Miljanov, siç e quante ai veten, para se të vdiste, shkroi:

‘Po vdes i lumtur edhepse nuk kam jetuar mjaft gjatë për t’i lexuar librat e mia, por do t’i dëgjoj nga varri kur ato do t’i lexojnë nipat e miqëve të mi. Si kuç që jam, po vdes kryesisht i kënaqur, por si serb, po vdes i pakënaqur dhe jo i lumtur’.

Porosia e Mark Milanit për origjinën është shumë e rëndësishme: Mos u largoni nga ajo që jeni se kurrë nuk gjeni kënaqësi në atë që nuk jeni. / KultPlus.com

Të ngjajshme