5 Gusht, 2025 - 7:21 pm
Sheshi “Liria” në Durrës u kthye mbrëmjen e djeshme në një skenë të hapur artistike, ku u zhvillua koncerti festiv i Orkestrës Frymore, nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja dhe me pjesëmarrjen e solistes Juna Ruci.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha se ky aktivitet u zhvillua në vazhdën e eventeve të shumta kulturore dhe artistike të këtij sezoni turistik, ndërsa Orkestra Frymore e qytetit dhuroi një koncert emocionues për qytetarët dhe turistët që zgjedhin Durrësin si destinacion.
Nën drejtimin e dirigjentit Saimir Kalaja, orkestra solli një repertor të pasur me vepra të njohura nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj.
“Një emocion i veçantë iu shtua koncertit falë interpretimit mjeshtëror të solistes Juna Ruçi. Tingujt e muzikës dhe entuziazmi i të pranishmëve krijuan një atmosferë festive në qytetin tonë”, pohoi Sako.
Repertori përfshiu vepra nga kompozitorë të njohur si: Prenk Jakova, Feim Ibrahimi, Bizet, Shostakovich, Beethoven, Morricone, The Beatles, ndërthurur mjeshtërisht për të sjellë një përjetim muzikor të larmishëm dhe frymëzues.
Ky aktivitet është pjesë e kalendarit artistik të verës në Durrës, që synon të promovojë artin dhe të krijojë hapësira kulturore për komunitetin./atsh/ KultPlus.com