OSBE: Mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve

3 Maj, 2025 - 9:30 am

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ripohon se liria e shprehjes dhe media e pavarur janë thelbësore për një demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme.

“Ne mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë caktimin e një pike kontakti të dedikuar të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve. Këto janë zhvillime të rëndësishme, por disa sfida mbeten. Profesionistët dhe organizatat e medias vijojnë të përballen me kërcënime dhe trysni, duke nënvizuar nevojën urgjente për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të mbështetur një mjedis mediatik pa presione politike dhe ekonomike, ku të mund të lulëzojë gazetaria e pavarur”, thekson OSBE në njoftimin për shtyp.

OSBE thekson se “po aq jetik është edhe roli i raportimit të saktë, të paanshëm dhe etik përmes mekanizmave efektivë vetërregullues që mundësojnë debat publik të informuar dhe angazhim qytetar. Gazetarët luajnë një rol kyç në vënien e pushtetit përballë llogaridhënies dhe besimi i publikut në punën e tyre varet nga përkushtimi i fortë ndaj standardeve profesionale dhe etike”.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson mbështetjen e saj për nismat reformuese dhe platformat e dialogut që mbrojnë lirinë e shtypit dhe promovojnë gazetarinë e përgjegjshme në Shqipëri./ KultPlus.com

Të ngjajshme