Osmani: Dhimitër Anagnosti i dha identitet kinemasë shqiptare në botë

3 Shtator, 2025 - 11:00 am

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

Në mesazhin e saj, Osmani e cilëson Anagnostin si një mjeshtër të madh të kinematografisë në Shqipëri.

“Veprat e tij mbeten të ngulitura thellë në kujtesën e publikut dhe janë dëshmi e talentit, përkushtimit dhe guximit të tij artistik. Ai ishte një njeri që i dha artit dinjitet dhe shoqërisë reflektim”, shkruan Osmani ndër të tjera.

Teksti i plotë:

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

1 shtator 2025
Prishtinë, Republika e Kosovës

E nderuar familje Anagnosti,

Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti.

Ai ishte një prej figurave më të shquara të artit tonë, i cili me krijimtarinë e tij prej disa dekadash pasuroi kulturën kombëtare, duke i dhënë dinjitet dhe identitet kinemasë shqiptare në botë. Veprat e tij, të ngulitura thellë në kujtesën e publikut, mbeten dëshmi e përhershme e talentit, guximit intelektual dhe përkushtimit të tij për artin dhe shoqërinë. Trashëgimia e tij e çmuar do të mbetet pjesë e kujtesës kolektive dhe frymëzim për gjeneratat që vijnë.

Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve, të afërmve dhe kolegëve!

Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.

I përhershëm qoftë kujtimi për Dhimitër Anagnostin!

Sinqerisht:
Vjosa Osmani

Regjisori i shquar i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, mbylli sytë përgjithmonë në moshën 89-vjeçare, ditën e hënë, pas një sëmundjeje të gjatë. Më herët, e bija, shkroi online “Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë iu binde ligjit të jetës. Lamtumirë babush!”, ndërsa Këshilli i Ministrave shpalli datën 2-shtator si ditë zie kombëtare.

Ai lindi në fshatin Vuno, Himarë, më 23 janar të vitit 1936. Kreu shkëlqyeshëm gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë. Studimet e larta i kreu në Institutin Kinematografik – VGIK, Moskë (1954-1960), ku u diplomua për kinooperator. Anagnosti ka realizuar filma, në cilësinë e regjisorit dhe skenaristit e gjithashtu ka shkruar romane dhe drama.

Xhiroi si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes” – sipas tregimit të Heminguejt, që u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin e Shkollave Kinematografike në Holandë (1961).

Pas studimeve u emërua në Kinostudion “Shqipëria e Re” ku dha kontributin e tij të gjatë e të rëndësishëm si regjisor, skenarist e kino-operator në zhvillimin e artit të ri të kinematografisë shqiptare. Filmat e tij janë vlerësuar e vazhdojnë të vlerësohen nga publiku e spektatori shqiptar. Puna e tij si kineast është vlerësuar me tri Çmime të Republikës së Shqipërisë (1969, 1979, 1983); me tri Kupa të Festivaleve të Filmit Artistik Shqiptar e shumë çmime të tjera.

Filmat më të spikatur, si “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit” etj., janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare në vitet (1980, 1983, 1985, 2005, 2006).

Në vitin 1987 u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”, ndërsa në vitin 1995 me “Çmimin e Karrierës” në Festivalin e 10-të të Filmit Artistik Shqiptar.

Ka qenë deputet i Partisë Demokratike në parlamentin e parë pluralist shqiptar dhe në vitin 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e parë demokratike.

Për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar është vlerësuar me titullin e lartë “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2011)./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme