Osmani: Liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit

3 Maj, 2021 - 12:14 pm

3 Maji është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet që nga viti 1993 e vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e cila shërben për t’ua përkujtuar qeverive nevojën e respektimit të përkushtimit të tyre për lirinë e shtypit dhe po ashtu është një ditë reflektimi në mesin e profesionistëve të mediave për lirinë e shtypit dhe etikën profesionale, shkruan KultPlus.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar se liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit.

Ajo tutje inkurajon mediat që të vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, duke u shprehur se e vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve.

Postimi i plotë i Osmanit:

Liria është atribut i gjendjes së natyrshme, siç duhet të jetë edhe Liria e Shtypit.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, dua ta shprehë konsideratën time për mediat profesionale e të guximshme. Dua t’i inkurajoj ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, ngase liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë. Të një shoqërie ku çdo ditë krijojmë hapësirë për ta dëgjuar mendimin ndryshe dhe ku secili ndihet i lirë ta thotë atë që e mendon.

Media/gazetarë të nderuar, urime dita juaj! Hulumtoni, siguroni prova, nxirrni konkluzione në bazë të tyre. E vërteta duhet të jetë kauzë e përhershme e të gjithëve. / KultPlus.com

Të ngjajshme