Osmani: Majlinda tregoi se ky vend i vogël mund t’i japë njerëzimit vlera të pakontestueshme në sport, kulturë e shkencë

23 Qershor, 2020 - 9:55 pm

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Ditën Olimpike ka kujtuar rolin e sportistëve që e kanë ngritur lartë emrin e Kosovës që nga Aziz Salihu deri Majlinda Kelmendi, shkruan KultPlus.

“Sot, në Ditën Olimpike kujtojmë rolin e jashtëzakonshëm të sportistëve tanë dhe punëtorëve sportivë në ngritjen lart të emrit të Kosovës, nga ish-fituesi i medaljes së parë olimpike, boksieri Aziz Salihu, i cili në Olimpiadën e vitit 1984, në Los Anxheles e fitoi medaljen e bronztë, e deri te ajo që flamurin e Kosovës e lartësoi në piedestal, duke e fituar të parën medalje të artë olimpike për shtetin e pavarur të Kosovës, madje në më të parën olimpiadë në të cilën Kosova mori pjesë si shtet i pavarur.

Majlinda përloti çdo njeri sportdashës, por preku edhe zemrat e çdo njeriu paqedashës e liridashës. Ajo tregoi se ky vend i vogël, në të cilin jetojnë njerëz me zemër të madhe, mund t’i japë njerëzimit vlera të pakontestueshme në sport, kulturë e shkencë.
Sot, Kosova ka pesë norma olimpike në xhudo dhe një në mundje dhe mund të ketë edhe të tjera deri në lojërat e ardhshme olimpike. E përgëzojmë Komitetin Olimpik të Kosovës për këto të arritura, sikur edhe secilin punëtor sportiv, si dhe federatat e sportit, të cilat po e mbajnë gjallë frymën olimpike dhe u urojmë shumë suksese!”, ka shkruar Osmani në Facebook. /KultPlus.com

Të ngjajshme