Osmani: Në vitin 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës, shënoi kthesë historike

11 Mars, 2021 - 2:15 pm

Vjosa Osmani, presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës ka kujtuar 11 marsin, ditën kur ka filluar shpirti rebelues i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët thyen pjatat në mes të Mensës së Studentëve, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e saj.

40- vjet më parë, më 11 mars 1981, refuzimi i pjatave në Mensën e Universitetit të Prishtinës nga rinia studentore e Kosovës, shënoi fillimin e demonstratave, të cilat ishin kthesë historike jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.

Kjo revoltë “e bukës”, u shndërrua gradualisht në lëvizje rezistence për të drejta përmbajtësore politike për shqiptarët dhe shënoi fillimin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Prej këtu, thirrja për Republikë u shndërrua në kauzë jo vetëm për përmirësimin e pozitës politike të shqiptarëve, por edhe për shtetin, të cilin sot e gëzojmë.

Ky shpirt studentor, mbajti gjallë përpjekjen për liri e pavarësi, për Republikën, të cilën e bëmë realitet dhe të cilën duhet ta forcojmë edhe më tej.

Si çdoherë studentët i kanë paraprirë ndryshimeve në Kosovë. Ky ndryshim tashmë është realitet, ndaj sikur dikur kur ishin studentët që na unifikuan në kërkesën tonë për shtet, sot kemi nevojë sërish për një unitet të tillë që ta forcojmë shtetin e Kosovës, ta lartësojmë imazhin e tij dhe ta bëjmë një vend perspektive për rininë tonë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme