Osmani: Nëse liberalizimi i vizave ndodh më 23 qershor ose jo është vullnet i shteteve anëtare

15 Qershor, 2022 - 12:32 pm

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, por thotë se nuk e di nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor ashtu siç paralajmëroi homologu i saj serb Aleksandar Vuçiq.

Ajo thotë se vendimi për t’ia hequr vizat kosovarëve varet nga vullneti individual i shteteve anëtare të BE-së, njofton Klankosova.tv.

“Asnjë arsye që ky proces të bllokohet nuk ka dhe nuk ka pasë as këto katër vite. Do të vazhdojmë të punojmë intensivisht me shtetet anëtare deri në momentin që të merret një vendim që t’i vihet fundi kësaj padrejtësie të madhe dhe të thellë ndaj popullit të Kosovës. Nëse kjo do të ndodhë më 23 qershor, apo në ndonjë datë tjetër, është vullnet individual i shteteve anëtare të BE-së, që shpresojmë se do ta shprehin pro liberalizimit sa më parë të jetë e mundur. Ka akoma disa shtete nga të cilat po presim përgjigje përfundimtare, prandaj do të varet shumë prej qëndrimit të tyre në javët në vijim e sidomos në samitin që mbahet më 23 qershor”.

E para e shtetit konfirmoi se për liberalizimin e vizave janë në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të BE-së veç e veç.

“Ka një kohë të gjatë që punojmë intensivisht për të trajtuar çfarëdo lloj pyetje apo shqetësimi që ndonjëri nga shtetet mund ta ketë. Dua ta rikonfirmoj se Kosova vërtet i ka plotësuar të gjitha kriteret, që disa vite tashmë, dhe këtë plotësim të kritereve e ka rikonfirmuar Komisioni Evropian disa herë dhe po ashtu është rikonfirmuar nga Parlamenti Evropian me më shumë se 2/3 e votave në disa votime rradhazi dhe së fundmi edhe vetë rezoluta e Parlamentit Evropian, dje, dëshmoi se është vullnet i PE-së sërish që të gjitha shtetet anëtare ta përkrahin liberalizimin e vizave”./ KultPlus.com

Të ngjajshme