Osmani paralajmëron Evropën: Serbia po planifikon sulme të reja

13 Dhjetor, 2023 - 7:33 pm

Presidentja Vjosa Osmani ka dhënë një deklaratë për media para hyrjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, shkruan KultPlus.

Në samitin BE-Ballkani Perëndimor që po zhvillohet të mërkurën në Bruksel, Osmani deklaroi se Kosova posedon informata në lidhje me planet e Serbisë, për ta sulmuar prapë Kosovën, siç deklaron ajo.

Këto informacione, sipas Osmanit, janë shumë alarmante dhe duhet të merren me seriozitet të plotë.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja, unë do t’i informojë të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, deklaroi Osmani.

Luftat dhe sakrificat që po zhvillohen nëpër botë, sipas presidentes së Kosvoës janë kohë të vështira për të gjithë Evropën.

“Ky samit është duke ndodhur në një kohë të vështirë për Evropën dhe për të gjithë botën për shkak të një sërë konfliktesh që po ndodhin anë e kënd botës dhe natyrisht që edhe natyrisht që vëmendja e të gjithë partnerëve tanë është te të gjitha këto konflikte. Këto konflikte që po ndodhin në botë dëshmojnë se sa e rëndësishme është paqja në Ballkanin Perëndimor. Për fat të keq Serbia akoma udhëhiqet nga njerëz që dëshirojnë ta kthejnë prapa rajonin tonë në vitet e 890-ta, ne nuk duhet të lejojmë që një logjikë e tillë të triumfojë, prandaj po punojmë me partnerët tanë në BE në mënyrë që të rritet siguria në Kosovë dhe sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë dhe e dyta që të hiqen masat ndaj Kosovës, është e domosdoshme që të ketë masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tani nuk ka pasur asnjë veprim dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim ose masë ndaj Serbia, ajo do ta marrë këtë si një lloj nxitjeje”, tha ajo tutje.

Ajo gjithashtu pati për të thënë diçka edhe për sulmin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, duke shtuar se kërkon nga Bashkimi Evropian masa parandaluese, dhe jo medoemos ndëshkuese.

“Kur flas për masat, dua të jem e qartë se nuk po flas për ndëshkim, po flas për parandalim dhe për fat të keq historia ka treguar se kjo është e vetmja gjuhë që kupton Serbia, mosvendosja e masave për të është ftesë që të sulmojë sërish. Vuçiqi më së miri do t’i kuptonte masat financiare nga BE-ja”, ka shtuar Osmani. /KultPlus.com

Të ngjajshme