Osmani për Nexhmije Pagarushën: Jeta jonë kulturore është varfëruar nga mosprania fizike e saj

7 Shkurt, 2021 - 7:34 pm

Në përvjetorin e parë të vdekjes së Nexhmije Pagarushës, ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani e ka kujtuar bilbilin nëpërmjet rrjeteve sociale, shkruan KultPlus.

“Në njëvjetorin e ikjes në amshim të zërit unik të muzikës sonë, zonjës Nexhmie Pagarusha, jeta jonë kulturore është varfëruar nga mosprania fizike e saj, porse mbetet e pasuruar me fondin muzikor të saj, i cili është një nga vlerat më të çmueshme trashëgimore të artit tonë muzikor”, ka shkruar Osmani.

Tutje ajo ka përmendur se si Pagarusha që në rininë e saj ka kënduar vepra të njohura botërisht, e deri te kryevepra e saj, të cilën s’ka moshë që nuk e do.

“Në rininë e saj i këndoi të përkthyera veprat e Beethovenit e Verdit për ta mbërri kulminacionin artistik me perlën e muzikës sonë, këngën “Baresha”, të kompozuar nga burri i saj, Rexho Mulliqi”, është shprehur u.d. Presidentja.

“Në përvjetorin e parë të ikjes së saj, zëri i Bilbilit të Kosovës jehon ende. Jehoftë përjetë e mot!”, ka përfunduar Osmani.

Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha ka vdekur më 7 shkurt 2020, duke lënë një krijimtari të madhe artistike. / KultPlus.com

Të ngjajshme