Osmani për takimin në Bruksel: Dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta

28 Shkurt, 2023 - 5:01 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se dje në takimin në Bruksel janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.

Këshilltari për media Bekim Kupina ka thënë se Osmani vlerëson se teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit.

Sipas saj, fjalën përfundimtare për këtë marrëveshje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës.

Takimi i 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian (BE) dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Osmanit shënon moment pozitiv në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Ai (takimi) i kontribuon paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon. Presidentja e Republikës së Kosovës vlerëson se nëse marrëveshja zbatohet në mënyrë burimore, ajo do të përcaktonte parime të rëndësishme për relacionet ndërmjet palëve, duke i vendosur si të barabarta, me respekt reciprok dhe në përputhje me parimet themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara, përfshirë parimin e respektimit të integritetit territorial. Megjithatë, sipas presidentes Osmani, me këtë marrëveshje, dje janë pranuar edhe disa propozime jo të lehta, që lidhen me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe. Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhet në përgjigjën e Kupinës.

Sipas tij, presidentja Osmani thekson se çdo rezultat i dialogut duhet ta ruajë integritetin territorial, sovranitetin dhe funksionalitetit e brendshëm të Kosovës.

“Siç ka thënë vazhdimisht Presidentja Osmani dhe sikur ka nënvizuar edhe presidenti Biden, procesi i dialogut duhet të përmbyllet me njohjen reciproke, ndaj Plani Evropian mund të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi.

Presidentja konsideron se fjalën përfundimtare rreth kësaj marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës, meqë preken kategori kushtetuese të parapara në nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai./rtv 21

Të ngjajshme