Osmani për vdekjen e Cimës: Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta

26 Mars, 2021 - 2:17 pm

Humoristi Rasim Thaçi-Cima ka vdekur sot si pasojë e COVID-19. Lajmin e kanë bërë të ditur nga Klinika Infektive por edhe familjarët, shkruan KultPlus.

Kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një postimi në facebook ku shpreh pikëllimin e thellë për ikjen e aktorit dhe humoristit Rasim Thaci-Cima.

Osmani shprehet se Kosova sot mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime.

Ky është postimi i plotë i Osmanit:

Me pikëllim të thellë sot pranuam lajmin e ikjes së aktorit dhe humoristit të madh Rasim Thaçi-Cima. Sot Kosova u varfërua, mbeti pa ikonën e humorit, aktorin dhe njeriun e mirë që na fali shumë kujtime. Humori i tij ishte dritë edhe në ditët tona më të errëta, ishte rezistencë ndaj sistemit shtypës, ishte shpresë për ditë më të mira!

Ai na bëri të qeshim gjithë jetën e tij. Ne sot jemi të pikëlluar, sepse ikja e Cimës do ta lë një zbrazëtirë të madhe. Por, ne do ta kujtojmë përherë me mall humorin e tij!

Ngushëllime familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë popullit të Kosovës! / KultPlus.com

Të ngjajshme