Osmani: Përgjatë punës sime, çështja e të pagjeturve do të jetë përkushtim i pandalshëm

6 Prill, 2021 - 7:14 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka nderuar kujtimin e personaliteteve që qëndrojnë në themelet e shtetit tonë, shkruan KultPlus.

Osmani ka vizituar varrin e presidentit Ibrahim Rugova, ka vizituar familjen Jashari në Prekaz, duke nderuar në kujtim Adem Jasharin.

“Sot nderova kujtimin edhe për të pagjeturit. Janë mbi 1600 persona për të cilët ende nuk dihet asgjë. Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës është kujtimi ynë dhe malli i çdoditshëm i familjarëve për të cilët liria do të ketë kuptim, kur për më të dashurit e tyre do ta kenë një adresë e mbi të gjitha kur do të ketë drejtësi. Ata janë pengu jonë, janë testamenti i luftës, janë paqja e papërfunduar”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në fotografitë e bashkangjitura, Osmani ka kujtuar edhe gratë e dhunuara gjatë luftës, ku thotë se Kosova numëron afro 20  mijë gra të dhunuara nga regjimi gjenocidal serb.

“Kosova numëron afro 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës nga regjimi gjenocidal serb. Te memoriali “Heroinat”, sot nderova kujtimin për secilën nga to. Njëzetë mijë plagë të hapura, njëzetë mijë heroina për të cilat drejtësia asnjëherë nuk u vu në vend. Kryesit e krimeve monstruoze duhet të dënohen, shteti i Kosovës duhet t’i ofroj heroinave drejtësi, përkrahje, e jetë me dinjitet”, shtoi Osmani.

Ajo ka shtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë përkushtim i pandalshëm për të

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë:

Sot nderova kujtimin e personaliteteve më ikonike që qëndrojnë në themelet e shtetit tonë.

Te varri i arkitektit të shtetit të Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova bëra nderime në kujtim të këtij burrështetasi, i cili pati kurajën për t`i afruar të gjithë afër vetes, për ta bërë të mundshëm misionin e bërjes së shtetit. Ai e bëri Kosovën me shumë miq. Ne sot po e  forcojmë shtetin dhe po i kultivojmë aleancat, sepse siç thoshte ai: shtëpia mbahet me miq!

Kurse në Prekaz, nderova nderova kujtimin për Bacën Adem dhe Familjen Jashari, të cilët na bëjnë krenar çdo ditë të jetës sonë, të cilët na rikujtojnë rrugën e vështirë deri te liria dhe të cilët janë e vërteta e përpjekjes sonë kombëtare për liri! Ai si komandant dhe shumë luftëtarë të UÇK-së, mbrojtën dinjitetin tonë si popull me rezistencën, mosnënshtrimin, luftën dhe sakrificën.

Por, lufta jonë për liri pati tagrin e vetë.

Kosova numëron afro 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës nga regjimi gjenocidal serb. Te memoriali “Heroinat”, sot nderova kujtimin për secilën nga to. Njëzetë mijë plagë të hapura, njëzetë mijë heroina për të cilat drejtësia asnjëherë nuk u vu në vend. Kryesit e krimeve monstruoze duhet të dënohen, shteti i Kosovës duhet t’i ofroj heroinave drejtësi, përkrahje, e jetë me dinjitet.

Sot nderova kujtimin edhe për të pagjeturit. Janë mbi 1600 persona për të cilët ende nuk dihet asgjë. Memoriali për nder të të pagjeturve të Kosovës në oborrin e Kuvendit të Republikës së Kosovës është kujtimi ynë dhe malli i çdoditshëm i familjarëve për të cilët liria do të ketë kuptim, kur për më të dashurit e tyre do ta kenë një adresë e mbi të gjitha kur do të ketë drejtësi. Ata janë pengu jonë, janë testamenti i luftës, janë paqja e papërfunduar!

Përgjatë punës sime, çështja e të pagjeturve do të jetë përkushtim i pandalshëm, sikurse edhe kujtimi i përhershëm për ta!/ KultPlus.com

Të ngjajshme