30 Prill, 2025 - 4:58 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi sot 26 vjetorin e rënies heroin Ilaz Kodra.
Presidenca bën të ditur se Osmani ka pohuar se përkushtimi dhe sakrifica e Ilaz Kodrës janë simbol i luftës për liri.
“Sot, e kujtojmë me respekt, guximtarin e jashtëzakonshëm dhe udhëheqësin, i cili qëndroi gjithmonë i palëkundur për kauzën për liri e shtet. Si një nga shtyllat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai besoi, luftoi dhe ra për liri”.
“Në çdo hap të rrugëtimit të tij, Ilazi ishte më shumë se një komandant, një frymëzim, një simbol i guximit të pakufishëm dhe i sakrificës. Me qetësinë dhe forcën që e karakterizonin, ai udhëhoqi radhët e UÇK-së, në fazat e para të organizimit dhe aksioneve luftarake. Por, më 30 prill 1999, heroizmi i tij arriti kulmin, kur ra në betejën e Shtuticës, duke u bërë gardian i përhershëm i lirisë dhe Republikës sonë. Rënia e tij ishte një humbje për të gjithë, por trashëgimia e tij është frymëzim për brezat”, ka thënë Osmani, sipas njoftimit të presidencës.