Osmani: Pokleku është Holokausti i Kosovës

17 Prill, 2021 - 3:31 pm

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Për këtë përvjetor, ka thënë fjalën e saj edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se kjo masakër është Holokausti i Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit

Pokleku është Holokausti i Kosovës

Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të cilëve 24 fëmijë, ende janë të freskëta në bodrumin e shtëpisë në të cilën së pari u vranë, pastaj u dogjën dy herë radhazi. Në mesin e tyre, Lirie Muqolli gjashtë muajshe, jeta e së cilës u shua në filim të saj nga forcat policore e ushtarake të regjimit gjenocidal serb. Emri i saj ishte Liri, porse lirinë nuk e arriti!

Ajo dhe fëmijët e tjerë u vranë pse ishin shqiptarë, teksa bashkë me gra, djem e burra të tjerë prehen në një varrezë të përbashkët. Trupat e njomë të fëmijëve, bashkë me familjet e tyre, ishin bërë shkrumb e hi, për ta bërë të pamundur identifikimin e për ta fshehur krimin mizor. Ky krim kishte një qëllim të qartë: shfarosjen e zhukjen e popullit tonë nga faqja e dheut.

Prandaj, viktimat dhe të mbijetuarit e kësaj masakre janë dëshmi e fuqishme se në këtë fshat më 17 prill 1999 ndodhi Holokausti i Kosovës. Fëmijët e vrarë ishin të moshës gjashtë muajshe e deri në 17 vjeç. Bashkë me ta është vrarë edhe poeti i tyre, poeti i fëmijëve Ymer Elshani me gruan, katër djemtë, nënën dhe kunatën.

Dëshmitë dhe disa dëshmitarë të mbijetuar në Poklek si dhe në masakrën në Çikatovë të Vjetër ku u vranë edhe 24 civilë shqiptarë po më 17 prill, qartë tregojnë qëllimin shfarosës që kishte Serbia.

Sot, së bashku me Kryetarin e Kuvendit, z.Glauk Konjufca nderuam të rënët dhe ndamë dhimbjen për ta bashkë me familjarët e tyre. Sot, zëri i Lirisë dhe i fëmijëve, grave e burrave të tjerë të vrarë në këto masakra trokasin në ndërgjegjen tonë si thirrje e fuqishme për drejtësi!

Ne që po e gëzojmë lirinë na mbetet mision që ta bëjmë të pamundurën që kryesit e këtij akti makabër të dalin para drejtësisë. Liria dhe paqja do të kenë kuptim kur familjarët e të masakruarve në Çikatovë të Vjetër e në Poklek ta gjejnë qetësinë kur drejtësia të marrë epilog. E ne nuk do të ndalojmë kurdo dhe kudo ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën për këto masakra!
Qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët në masakrën e Poklekut dhe të Çikatovës së Vjetër! /
KultPlus.com

Pokleku është Holokausti i Kosovës Gjurmë të gjakut të 54 civilëve të vrarë në Masakrën e Poklekut, në mesin e të…

Posted by Vjosa Osmani on Saturday, April 17, 2021

Të ngjajshme