Osmani: Serbia duhet ta pranojë gjenocidin ndaj shqiptarëve, krimi s’mund të fshihet

9 Dhjetor, 2020 - 12:55 pm

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, në seancën e veçantë për nderim të viktimave të krimit të gjenocidit, tha se duhet edhe njëherë të ngritët zëri për krimin gjenocidal të kryer nga regjimi serb i Millosheviqit.

Duke iu drejtuar edhe familjarëve të viktimave të këtij krimi serb, Osmani ka përmendur edhe shifrat e të zhdukurve.

“Jemi mbledhur, pra, për ta ridëshmuar plagën tonë të pambyllur, për vrasjen e mbi 13.000 njerëzve tanë, shumica prej të cilëve civilë, gra, pleq e fëmijë, mbi 1.600 nga të cilët ende mbajnë statusin e “personave të pagjetur”. Por, ata nuk janë thjesht të pagjetur. Ata janë “të pagjetur të fshehur” nga pushteti pasardhës i regjimit që kreu gjenocid mbi ta”, u shpreh Osmani.

Osmani tutje ka shtuar se dhuna mbi viktimat e gjenocidit serb, është sistematike, nga vrasja e tyre në fshehjen e tyre e në thirrjen e regjimit të sotëm serb për mosdhënie të informative për ta.

“Serbia duhet ta pranojë peshën historike të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Ajo duhet të detyrohet që të japë informata për dhunën sistematike ndaj viktimave. Ajo duhet t’u përgjigjet thirrjeve për ofrim të informatave mbi krimet e kryera mbi viktimat dje dhe mbi ta e mbi familjet sot”, u shpreh Osmani.

U.d e presidentes, tha gjithashtu se krimi i kryer nga Serbia nuk mund të fshihet.

“Fshehja e krimit është krim i ri, po aq i tmerrshëm sa ai i pari, për t’i dëshmuar vetes e botës se rrëfimi mbi gjenocidin është i domosdoshëm, sepse ai dëshmon të kaluarën tonë. Ikja nga të rrëfyerit për përjetimin është mohim i ekzistimit të tij”, tha tutje ajo.

Osmani ka shtuar gjithashtu se Kosova do dialog, por vetëm me njohje reciproke.

“Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo”, u shpreh Osmani në këtë seancë të veçantë./ Koha.net/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme