Osmani: Sot na duhet patriotizëm institucional, të zotohemi që do ta mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës

17 Shkurt, 2020 - 11:40 am

Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti seancë solemne për Ditën e Pavarësisë.

Të pranishëm janë udhëheqësit shtetërorë, përfaqësues të familjes Jashari, familjes Rugova dhe të ftuar ndërkombëtarë e vendës.

Seanca ka nisur me intonimin e himnit të shtetit. 

E pranishme në këtë seancë nuk është Lista Serbe.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot flamuj të vegjël e zemra të mëdha valëviten në të gjitha komunat e Kosovës.

Ajo ka thënë se sot Republika e Kosovës ka moshën e fëmijëve të pavarësisë të cilët sot ishin të pranishëm në seancë.

“Sot Kosova jonë jo vetëm që frymon e lirë por edhe po krijon imazhin e ri duke i ofruar vlera edhe botës. Xhudistët e kanë skalitur emrin e Kosovës në qindra piedestale. Ata na kanë bërë të qajmë nga gëzimi e të qeshim nga lumturia. Artistët janë duke na bërë të njohur në botë, kanë bërë që shteti i Kosovës të duhet nga të gjithë. Sukseset e studentëve në botë kanë dhënë shpresën që ky vend të shkëlqejë”, ka thënë ajo.

Ajo ka kujtuar brezat që punuan për lirinë e vendit dhe pavarësinë.

Osmani e ka kujtuar edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova derisa e ka quajtur ikonë të shtetit.

“Kujtojmë heronjtë tanë që sakrifikuan gjithçka, kujtojmë familjen Jashari që u sakrifikua e u bë dritë për ne dhe gjithë brezat që vijnë. Kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe heronjtë. Mendojmë çdo ditë e çdo natë bashkë me nënat e të pagjeturve. Kujtojmë të gjithë martirët”, ka thënë ajo.

Osmani thotë se rrugëtimin deri në pavarësi e bënë bashkë me miqtë ndërkombëtarë.

“Ne sot i lusim ata që të qëndrojnë bashkë me ne e pranë nesh në jetësimin e vullnetit të qytetarëve, në zhvillimin ekonomik e integrimin evropian. U jemi mirënjohës SHBA-së me të cilët ruajmë miqësi të hershme e të përhershme”, ka thënë ajo.

E para e Kuvendit ka thënë se pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e vendeve të rajonit.

“Qytetarët sot ëndërrojnë për zhvillim ekonomik. Së bashku me institucionet e vendit duhet t’i përmbushim dëshirat e tyre. Sot Kosova është e vendosur më shumë se kurrë që të integrohet në bashkësinë e popujve evropian. Ne do ta thellojmë përpjekjen për shtetndërtim, prandaj sot na duhet një patriotizëm institucional. Sot duhet të zotohemi që ta forcojmë shtetin e Kosovës, të zotohemi që do të mbrojmë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe të dëshmojmë që 17 shkurti është i pakthyeshëm e i pacenueshëm”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të fjalës së kryeparlamentarës, Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet. / Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme