13 Qershor, 2025 - 1:59 pm
Gjatë vizitës zyrtare bilaterale në Japoni, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba.
Presidentja e ka falënderuar kryeministrin Ishiba për mikpritjen e ngrohtë dhe për përkushtimin e tij ndaj thellimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë.
Gjatë takimit, Osmani dhe Ishiba biseduan për mundësitë konkrete të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa Osmani theksoi se Kosova mbetet një partnere e besueshme dhe një zë i përkushtuar në mbrojtjen e paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit — vlera që na bashkojnë me Japoninë.
Në këtë frymë, Osmani riafirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, përfshirë përmes investimeve japoneze në industri kyçe. Në këtë kontekst, Osmani foli për rëndësinë e rritjes së shkëmbimeve ndërmjet bizneseve dhe për heqjen e regjimit të vizave për të gjitha pasaportat e shtetasëve të Kosovës, si mënyrë për ta lehtësuar këtë bashkëpunim, gjersa e falënderoi Japoninë për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave zyrtare dhe diplomatike. Ajo foli edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të tjera si arsimi, kultura, turizmi dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.
Tutje, në takim, presidentja Osmani theksoi se populli i Kosovës është gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë në çdo etapë të shtetndërtimit tonë. Ajo, po ashtu, foli edhe për rëndësinë e mbështetjes së Japonisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare./ KultPlus.com