Osmani thotë qartë për CNN: Kosova do të qëndrojë si komb i pavarur dhe sovran

14 Prill, 2022 - 8:26 pm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për median e njohur ndërkombëtare, CNN, ku ka biseduar për luftën në Ukrainë dhe si mund të ndikojë ajo në Kosovë, përcjell KultPlus.

Osmani gjatë kësaj interviste ka biseduar edhe për veprimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kohës sa ai ishte pjesë e ish-presidentit, Sllobodan Millosheviqit.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] voton pro rezolutës së OKB-së që e dënon pushtimin rus të Ukrainës, por kur duhet të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, qoftë ekonomike apo të tjera, ai asnjëherë nuk i ndërmerr këto veprime. Në fakt, Beogradi është i vetmi kryeqytet evropian, ku janë organizuar protesta pro Putinit me mbështetjen e plotë të qeverisë, ashtu si edhe të opozitës. Më duhet t’jua rikujtoj se presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i Propagandës në pushtetin e e Millosheviqit. Ai është shumë i mirë të bëjë propagandën që Rusia e mbështet”.

Ajo deklaroi se Kosova, që Serbia e sheh si shtet të përkohshëm, do të mbrojë me çfarëdo çmimi pavarësinë dhe sovranitetin e vet.

“Në 10 vjetët e fundit, ai ka arritur të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Vetëm një shembull, në vitin 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit. Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe Serbisë dhe Kinës, dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë”.

“Sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë bëjnë përpjekje destabilizuese ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia vazhdon të na shohë si shtete të përkohshme, çka qartazi nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane, dinamike dhe demokratike. Do të mbrojmë atë që kemi arritur dhe jemi gati të paguajmë çfarëdo çmimi për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran që e kemi sot”.

Ajo gjithashtu ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha shtetet, qofshin të vogla apo të mëdha, të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus.

“Kemi humbur shumë njerëz në luftën e Kosovës. e madje data 14 prill shënon edhe Ditën Kombëtare të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Çfarë po shohim në Ukrainë, njerëz duke u vrarë, fëmijë duke u vrarë, gra e burra po përdoret si një mjet për luftë. Kur lufta të mbarojë, njerëzit të cilët kryen krime duhet të përballen me drejtëinë, gjë të cilën nuk e kemi parë, fatkeqësisht, në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku jemi përballur me mohimin e gjenocidit. Nuk kemi parë drejtësi për viktimat e luftës akoma”. /KultPlus.com

Të ngjajshme