Osmani tregon pritjet nga Samiti, gazetarët e pyesin “pse janë vizat kaq të rëndësishme për ju?”

23 Qershor, 2022 - 10:18 am

Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve para se të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

Ajo është pyetur se pse liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe përgjigjja e Osmanit ishte se kjo është një padrejtësi e madhe që po iu bëhet atyre derisa njerëzit nga e gjithë Europa dhe përreth saj lëvizin lirshëm derisa një vend me më pak se 2 milionë banorë mbahet i izoluar.

“Ne shpresojmë, megjithatë nuk dua që të rris pritshmëritë në këtë pikë, sepse më ky proces nuk është në duart tona. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet vite më parë.  Është padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Osmani tha se për këtë çështje vendim pro ka dhënë Komisioni Europian dhe gjithashtu Parlamenti Europian, prandaj është koha që shtetet anëtare të dëgjojnë zërin e qytetarëve të tyre.

Cilat janë pritshmëritë e Osmanit para samiti?

“Jam këtu për të dhënë një mesazh të rëndësishëm në emër të njerëzve të Kosovës. Neve na duhet një zë i qartë nga Bashkimi Europian, na duhet një mesazh i bashkuar nga BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor, sepse sa më shumë hapësirë po mbetet për faktorët malinj ata do ta përdorin. Kështu që, shpresojmë për një perspektivë të qartë nga të gjithë shtetet anëtare”.

Presidentja e Kosovës foli edhe për synimet e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë.

“I mbështesim Ukrainën, Moldavinë, sepse e meritojnë.  Njëjtë sikurse Kosova, edhe këto dy vende kanë treguar se përnjëmend qëndrojnë krah vlerave europiane dhe janë në gjendje të japin edhe jetën për t’iu bashkuar BE-së. Unë nuk shoh ndonjë të keqe për Ballkanin Perëndimor, nëse Ukraina dhe Moldavia ecin përpara, përkundrazi”, tha Osmani për gazetarët.

Në përmendjen e faktit se krijimi i hapësirës në Ballkanin Perëndimor lejon që faktorë të tjerë malinj ta përdorin atë, Osmani thotë se BE-ja duhet të jetë ofrojë një perspektivë të qartë ndaj rajonit dhe sidomos ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor që kanë treguar se janë pro vlerave europiane. / Gazeta express/ KultPlus.com

Të ngjajshme